Ish- kryetari dhe njëherazi kandidati për udhëheqjen edhe njëherë të demokratëve, Lulzim Basha iu është rikthyer premtimeve të vjetëra për lista të hapura, vetting të politikanëve, votën e Diasporës dhe kufizimin e mandateve.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Basha theksoi se fokusi i platformës së tij është rikthimi i besimit të shqiptarëve te vota dhe PD si një alternativë qeverisëse. Duke premtuar hapjen, vitalizimin dhe modernizimin e strukturave të Partisë Demokratike, Basha u kërkoi dorën shqiptarëve në një aleancë qytetare për demokracinë, që do të çlironte ekonominë dhe zhbënte përpara ndryshimet kushtetuese të 2008-ës.

“Fokusi i platformës tonë për ndryshim është tek e ardhmja, për t’u kthyer shqiptarëve besimin te vota dhe politika dhe për ta kthyer Partinë Demokratike në alternativën qeverisëse që shqiptarët meritojnë.

Ne do të përkushtojmë çdo energji në hapjen, vitalizimin dhe modernizimin e strukturave të Partisë Demokratike. Sot ne kemi përgjegjësinë të japim një model tjetër në politikbërjen e vendit, që ka në fokus shpresat dhe ëndrrat e njerëzve, jo hallet e pak politikanëve.

Aleancë Qytetare për Demokracinë, do të jetë koalicioni ynë për të çliruar ekonominë dhe për të çuar përpara ndryshimet kushtetuese që do të zhbëjnë ato të 2008-ës, duke mundësuar:
Listat e hapura;
Vetting-un e politikanëve;
Votën e diasporës;
Kufizimin e mandateteve.

Partia Demokratike mund të sjellë këtë ndryshim, në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, duke i dhënë çdo shqiptari fuqinë për të ndërtuar të ardhmen që meriton!”- tha Basha.