Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas takimit me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe Emisarin Special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka thënë se Kosova për shumicën e vendeve të BE-së është shtet i pavarur, porse tani është bërë “adoleshente e krisur”.
Në një prononcim para gazetarëve të pranishëm në Bruksel, ka thënë se shtetet perëndimore e krijuan vetë shtetin e pavarur të Kosovës dhe e mbajtën atë “derisa ishte në djep”, porse tani, sipas pretendimeve të tij, ajo është bërë një “adoleshente çapkëne dhe e krisur”.
“Ka arritur një moshë të krisur dhe jo më pak të rrezikshme. Por ata ende e mbajnë fëmijën e tyre. Duhet të dimë se pozicioni ynë është shumë i vështirë, gjithçka që vlen për Ukrainën nuk vlen për Serbinë, gjithçka që vlen për ta nuk vlen për askënd tjetër. Por është e drejta e më të fortit dhe duhet të mësohemi”, ka thënë ai.
“Besoj se biseda e sotme ishte e dobishme, por çfarë do të shohim nesër në terren, nuk e di. Unë jam gjithmonë i hapur, njerëzit nga BE-ja gjithmonë mund të më kontaktojnë. Ne në Serbi kemi diçka për të humbur, prandaj jemi kaq të përkushtuar ndaj stabilitetit”, shtoi presidenti serb.
Ai ka deklaruar se nuk mund të konfirmojë që “ekziston ndonjë udhërrëfyes” për daljen nga kriza në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, porse ka thënë se i ka informuar përfaqësuesit evropianë për “terrorin” që gjoja po e përjetojnë serbët në Kosovë nga kryeministri i vendit Albin Kurti.
“Unë kam ardhur gjithmonë në çdo diskutim sepse besoj se dialogu është i rëndësishëm dhe shërues. Në këtë moment nuk shoh asnjë arsye të flas me një njeri që provokon çdo ditë dhe dëshiron të shkaktojë konflikt sepse është ideologjia e tij fanatike, mendova se do të sillte vetëm më shumë dëme”, shtoi Vuçiç.
“Ajo që do të ndodhë më pas varet nuk varet shumë nga Borelli dhe nga ne, por shumë më tepër nga ata që përpiqeshin të bënin trazira çdo ditë. Nuk shoh asnjë të keqe nga takimi, nëse ndodh diçka e mirë, mirë, nëse jo, çfarë duhet të bëjmë. Në jetë, nuk mund të ndikoni në gjithçka. Diçka mund të ndryshoni, diçka nuk mundeni”.