Ish-deputeti i LDK-së, Fetah Rudi tregoi në një intervistë për Euronews Albania se ish-kryeministri italian i cili sot ndërroi jetë, Silvio Berlusconi i ka shpëtuar jetën. Rudi sqaroi se ka qenë për një vit në spitalet italiane për t’u shëruar pasi Rugova mbylli një marrëveshje me Berlusconin në mënyrë që ish-deputeti të mund të kurohej atje.

“Kam qëndruar për një vit për shërim në Itali. Më 27 dhjetor të vitit 2000 më kanë çuar për Itali në gjendje kome, në Napoli. Aty doktorët ma kanë kthyer vetëdijen dhe kanë kryer operacionin e parë. Më pas, diku për 3 muaj kam qenë pa vetëdije. Më 16-17 mars kanë ardhur mjekët në Napoli dhe kanë treguar që operacioni është kryer, ti duhet të kthehesh në Kosovë, atje të vazhdosh shërimin.

Pasi isha në gjendje shumë të keqe, ishte një përkthyese nga Shqipëria, një vajzë që e falënderoj shumë dhe sot për atëherë dhe më tregoi që në orën një e gjysmë është avioni për Kosovë. Kur jam nisur, aty kanë ardhur përsëri mjekët e Napolit dhe më thanë që nuk e kanë ditur që jam personalitet dhe në këto kushte duhet ta vazhdoj shërimin në Itali sepse qeveria italiane ka marrë përsipër shërimin tuaj. Ishte një marrëveshje e Berlusconit me Rugovën,” – tregoi Rudi.