“Koalicioni me Metën i vuri kapakun besimit tim te Berisha”, kështu u shpreh themeluesja e Partisë Konservatore Evi Kokalari këtë të hënë në Euronews Albania.
Ajo tha se priste që Berisha të dëgjonte mendimet e demokratëve pasi të gjithë ishin në mbështetje të tij, por askush nuk e donte një koalicion me Ilir Metën.

E megjithatë, sipas Kokalarit momenti kur ajo vërtet e humbi tërësisht besimin te Sali Berisha ishte kur ai ftoi në zyrë menjëherë pas forumit rinor, Besart Xhaferin, duke treguar kështu se ai ishte dakord që Xhaferi të vendosej në krye të forumit, ndërkohë që sipas Kokalarit, ajo dhe të tjerë nga strukturat e PD nuk u dëgjuan fare në lidhje me ankimet që kishin për kreun e ri të forumit rinor.
“Koalicioni me Metën i vuri kapakun, sidomos kur ky humbi vulën në gjykatë; ky nuk dëgjoi opinionin e demokratëve por i çoi nën logon me Ilir Metën. Kjo i vrau shumë demokratët, të gjithë dhanë mbështetjen por asnjëri nuk donte një koalicion me Metën.

Momenti që vendosa se e kam humbur besimin komplet, ishte momenti që ky ka dalë në mëngjes pas forumit rinor dhe ftoi Besart Xhaferin në zyrë, pa mbaruar, ndërkohë që pjesa tjetër po sillnin ankimet dhe problemet që kishim, por ai e mbylli garën.

Ai ka qenë lider për një kohë shumë të gjatë dhe nuk duhet ta kishte lejuar. Aty filloi zhgënjimi total, se deri në atë moment po mundohesha të thoja shiko se ç’po ndodh me forumin rinor”, -tha Evi Kokalari.