Kina nuk do të bëjë asnjë kompromis mbi Tajvanin. Këtë ia konfirmoi kryediplomati i Pekinit, Wang Yi, sekretari amerikan të shtetit, Antony Blinken, i cili është zyrtari i parë i lartë i Shteteve të Bashkuara që po zhvillon një vizitë në shtetin komunist, në 5 vitet e fundit. Takimi mes tyre është mbajtur me dyer të mbyllura.

“Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin principin e një Kine të vetme, të konfirmuar në 3 deklaratat e përbashkëta SHBA-Kinë, të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës dhe të kundërshtojnë qartësisht pavarësinë e Tajvanit”, raportohet t’i ketë thënë kryediplomati kinez Blinkenit.

Këshilltari i shtetit kinez ka kërkuar nga Uashingtoni që të reflektojë thellësisht dhe të adresojë problemet që ka me Pekinin. Sipas Wang Yi, përkeqësimi i raporteve mes të dyja shteteve lidhet me perceptimin e gabuar të SHBA-ve për Kinën. Ai e vuri Blinken mes zgjedhjeve duke theksuar se ka ardhur momenti kritik për të anuar nga dialogu ose konfrontimi, bashkëpunimi ose konflikti.
“Me një qëndrim përgjegjësie ndaj njerëzve, historisë dhe botës, ne duhet të përmbysim spiralen në rënie të marrëdhënieve amerikane-kineze, të shtyjmë për një kthim në një rrugë të shëndetshme dhe të qëndrueshme dhe të punojmë së bashku për të gjetur një rrugë të saktë për Kinën dhe Shtetet e Bashkuara që të merren vesh në epokën e re”, u shpreh Wang Yi, këshilltar shteti në Kinë.

Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit e cilësoi takimin e Blinken me Wang si konstruktiv. Në një deklaratë, thuhet se palët kanë patur një shkëmbim të sinqertë dhe thelbësor të këndvështrimeve.
Blinken ka theksuar rëndësinë për të mbajtur të hapura kanalet diplomatike të komunikimit dhe për këtë ftoi kryediplomatin kinez për një vizitë në Uashington. Vizita e sekretarit amerikan të shtetit në Kinë vjen në tentativë për të përmirësuar marrëdhëniet të dëmtuara rëndë për shkak të përplasjeve për Tajvanin, akuzat për spiunazh dhe për shkak të qëndrimeve të kundërta për luftën e Rusisë në Ukrainë.