Kombëtarja shqiptare e futbollit luan dy ndeshjet e radhës për grupin E kualifikues në Euro 2024. Më 17 qershor kuqezinjtë presin në “Air Albania” Moldavinë, teksa në 20 qershor luajmë kundër Ishujve Faroe në transfertë. Trajneri Sylvinho ka shpallur edhe listën, me lojtarët që kanë nisur grumbullimin dhe stërvitjen nën urdhërat e brazilianit.
Këtë të premte para gazetarëve dolën Armando Sadiku dhe Adrian Bajrami. Sulmuesi rikthehet në ekip pas tre vitesh, duke thënë se e priste diçka të tillë. Për Sadikun kualifikimi në fazën finale dhe përsëritja e suksesit të 2016 nuk janë të pamundura.
“E prisja se trajneri do të më thërriste, sepse që kur u emërua më ka marrë në telefon dhe kemi komunikuar. Kur më ka ardhur ftesa kam qenë shumë i gëzuar. Moldavia do të rrijë në mbrojtje dhe ne kemi shumë besim te mesfusha që do të na furnizojnë me topa. Jam shumë i bindur se historia e 2016 mund të përsëritet”, tha Sadiku.
Nga ana tjetër, Bajrami kërkon hapësira, duke vlerësuar ftesën nga trajneri.
“Jam shumë i lumtur të jem pjesë e kombëtares përsëri, pata pësuar një dëmtim shumë të rëndë dhe jam plotësisht gati. Do të jap maksimumin tim për të luajtur me Shqipërinë. Sylvinho dhe unë kemi biseduar shumë kohë, ai erdhi në Portugali të më takojë dhe jam shumë i lumtur për këtë pjesë”, tha Bajrami.