Kryetari i Bashkisë së New York, Eric Adams, përtej se i është bashkuar festimeve në atë që njihet si “marshimi i emigrantëve” në qytetin më të madh amerikan, ka bërë edhe një gjest kombëtar shqiptar duke pozuar me dy persona: Shqiponjën me duar.
Ky simbol është bërë tashmë kryefjalë e arritjeve shqiptare në botë, qoftë në botën e sportit fillimisht, apo edhe atë artistike apo më gjerë, ku për të treguar prejardhjen shqiptare, njerëzit kryqëzojnë duart dhe simbolizojnë shqiponjën dykrenare me krahë të hapur si gjest.
“Emigrantët e ndërtuan qytetin tonë dhe e bëjnë atë të funksionojë çdo ditë. Të gjithë ne kemi ardhur këtu nga diku tjetër. Të gjithë ne kontribuojmë në ‘Ëndrrën Amerikane’. Jam krenar që marshoj me vëllezërit dhe motrat e mia emigrante sot”.
Këtë mesazh e dha Adams në median e tij sociale Twitter, ku shpërndau edhe disa fotografi gjatë ngjarjes ditore në “Mollën e Madhe”.
Një përsiatje e tillë vjen në fakt në një çast të pakëndshëm ndërkaq në një pjesë të tjetër anglishtfolëse të globit, ku jo pak herë emigrantët shqiptarë janë dhunuar verbalisht dhe denigruar me gjuhë të papranueshme, qoftë edhe nga qeveritarët.
Raste të tilla kanë qenë ato të sekretares së Brendshme britanike, Suella Braverman, e cila “guxoi” edhe deri t’i quante “pushtues” apo “kriminelë” emigrantët shqiptarë në ishull.
Ndërsa, nga ana tjetër, Adams, përmes fjalëve të tija e bën të qartë se një qytet i tillë si New York, i cili numëron në tërësinë e tij thuajse 19 milionë banorë, nuk mundej të ngrihej ndryshe, përveçse me punën e palodhur të emigrantëve.
Një komunitet i madh shqiptarësh jetojnë në harmoni me jetesën atje, duke qenë edhe kontributorë të drejtpërdrejtë për rritjen e potencialit të qytetit, i cili kurrë nuk fle.