Nga Ylli Pata
Grupit të kundërshtarëve të rikthimit të Lulzim Bashës ju bashkua fort edhe Agron Gjekmarkaj. Dikur aleat i ish-kryetarit, prej kohësh ish-kreu i qarkut të Lezhës është mënjanuar nga zhvillimet, duke mos mbajtur anë. Por sot, Gjekmarkaj ishte shumë i ashpër, e quajti jo legjitim Këshillin Kombëtar të PD-së, kryesinë, dhe e krahasoi grupin që mbështet Bashën, një “qofteri”, që “mbledh njerëz sa një fejesë”. Pra me fjalë të tjera, Gjekmarkaj është rreshtuar në grupin e deputetëve që janë pranë Gazmend Bardhit, jo vetëm me logjikën kundër rikthimit të Lulzim Bashës, por edhe me idetë se si duhet vijuar në të ardhmen opozita.
Në vija të trasha, grupimi i Bardhit thotë se opozita duhet të tentojë sërish bashkimin me foltoren për të arritur që në zgjedhjet e ardhshme të formojnë një grup drejtues miks, kandidat për kryeministër miks, e kandidatë për deputetë miks. Në metodën se si do të tentohet i ashtuquajturi bashkim, grupi i Bardhit është i paqartë, por flet në vija të përgjithshme.
Sali Berisha nga ana e tij, është i fiksuar tek version i “primareve”, pra që deputetët të zgjidhen nga një trupë e pacaktuar votuesish opozitarë, siç ndodhi me kandidatët për kryetarë bashkie. Njjë proces që rezultoi jo vetëm i dështuar e kaotik, porn ë asnjë rast nuk prodhoi një rezultat të pakontestuar nga shumica. Kjo sepse njerëzit që votuan për të zgjedhur kandidatët për kryetarë, ishin një konglomerat anonim, ku listat u prodhuan jo nga regjistrat e anëtarësisë së PD-së, porn ga qendra, me qëllimin për të nxjerrë ato kandidatë që donte vetë doktori dhe Ilir Meta. i cili dërgoi mjaft njerëz t ëish-LSI-së për të marrë pjesë në të ashtuquajturin proces të primareve.
Ky proces, pra primaret e mbështetësve, është një praktikë që zhvillohet vetëm në SHBA dhe Partia Demokratike Italiane në Europë. Në të gjitha partitë e tjera europiane, e në mënyrë speciale në anëtaret e Partive Popullore Europiane, kryetarët, kandidatët për deputetë apo për kryebashkiakë zgjidhen sipas parimit “një anëtar, një votë” nga anëtarësia e partisë. Më pas, kandidati tenton të ofrojë konsensusin e korrenteve të tjera të shoqërisë. E kjo është logjika më normale, pasi të ashtuquajturat primare të mbështetësve, është një process i komplikuar, ku nuk ka fare traditë. SHBA e bën prej shekujsh këtë gjë, e kemi të bëjmë me një shtet federal, ku janë të konsoliduar strukturat e komiteteve elektorale.
Në PDI-në italiane, ku eksperimentohet si i vetmi vend në Europë primaret e sipmpatizantëve, këto zgjedhje nuk kanë arritur të japin një rezultat ta pranueshëm nga të gjithë korrentet e partisë. Në zgjedhjet e fundit në PDI, fitoi si kryetare Ely Shclein, e cila u votua në shumicë nga simpatizantët, kurse konkurrenti i saj, Stefano Bonaçini, u votua nga anëtarësia. Sot, disa muaj pas primareve, kryerarja e zgjedhur ende nuk ka arritur të fitojë autoritetin në parti, pasi anëtarët nuk po e pranojnë. Duke u rikthyer tek PD; Bardhi me të tijët e bëjnë këtë luftë pasi e ndjejnë veten të padashur nga anëtarët e mbetur në PD, pjesë e strukturave, të cilët janë përfundimisht të distancuar nga Sali Berisha dhe foltorja. Ata, pra degët e Partisë Demokratike janë bërthama që përkrahin rikthimin e Lulzim Bashës. E sipas gjasave, ka një mospëlqim me të gjithë deputetët që u rreshtuan me “Bashkimin për Fitore” më 14 maj. Kaq e thjeshtë është situata. Ata nuk duan bashkim me Foltoren, ndërkaq, as Berisha nuk do bashkim me strukturat e PD-së. Sepse për dy vite tentoi ti asgjësoi, për t’i suprimuar por nuk arriti dot.
E vetmja mënyrë për të çarë e Gjemarkajt, Bardhit etj, që nuk duan kandidimin e Lulzim Bashës është hapja e një “qofterie” të tyre ose të bashkohen me foltoren e Sali Berishës. Por sipas të gjitha gjasave, atje nuk e kanë derën e hapur. Edhe Saljanji që përfundoi atje nuk e pati të lehtë, por u bë për një farë kohe i domosdoshëm për Berishën, i cili tentoi të merrte grupin parlamentar të PD-së. Në 14 maj, Saljani mori kujdestarinë e Kavajës ku arriti ta rifitoi, e tani sipas të gjitha gjasave do ta mbajë fort këtë rezultat për të dalë deputet në vitin 2025-n. Po çfarë bashkimi kërkojnë Gjekmarkaj e Bardhi, kur palët nuk duan të bashkohen?
Sa për etiketimet se janë “sa një fejesë”, stilistika e pamfletistit nënkryetar Kuvendi nuk duket se qëndron. Sepse kjo PD, pra e Kolegjit të Kryetarëve”, mori me shpirt ndër dhëmbë, me të gjithë kundër e pa kandidatë më 14 maj, mbi 104 mijë vota. Një rezultat që jo vetëm “nuk është fejesë”, por është shumë më i rëndësishëm se ai elektorat që refuzoi që të dalë në votime për të zgjedhur kandidatët e Sali Berishës.