Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar sot seancën e radhës stërvitore, teksa skuadra ka hyrë në ditët vendimtare në prag të duelit të parë të kualifikueseve të Euro 2024 ndaj Moldavisë.

Jasir Asani dhe Kristjan Asllani janë bashkuar me grupin sot pasi kanë mbyllur impenjimet me klubet dhe tani janë totalisht të përqendruar te dy ndeshjet e radhës të Shqipërisë.

Teksa Asllani është stërvitur normalisht me grupin, Asani ka bërë stërvitje të diferencuar pas një udhëtimi të gjatë dhe pritet që nesër të jetë i gatshëm për të vijuar përgatitjet me grupin.

Tashmë që ka të gjithë lojtarët në dispozicion trajneri Silvinjo dhe stafi i tij teknik ka intensifikuar përgatitjet për duelin e rëndësishëm të fundjavës, duke u fokusuar më shumë te pjesa taktike dhe lojëra me topin.

Të gjitha lojtarët gëzojnë formë të mirë dhe infermieria për fat të mirë nuk ka probleme fizike. Kombëtarja do të vijojë stërvitjet në Shtëpinë e Futbollit, ndërsa stërvitja zyrtare dhe konferenca tradicionale e trajnerit një ditë para ndeshjes do të zhvillohen në stadiumin “Air Albania”, aty ku do të luhet edhe sfida Shqipëri-Moldavi, më 17 qershor.