Nga Namir Lapardhaja/
A.Gjekmarkaj nuk e pati aspak problem të merrte gjithë thesin e fjalëve më fyese për Lulzim Bashën në vitin 2017, kur mbeti jashtë listës së deputetëve, dhe nuk u zverdh e as nuk u skuq kur “thesin e sharjeve” e ktheu ne “thesin e lavdeve” në vitin 2021, kur u rreshtua i dyti në Lezhë, e më pas kreu i grupit të punës në vend të Markut, dhe nënkryetar i PD, nga ku fitoi vendin e numrit dy të Kuvendit. Pas gjithë kësaj, Gjekmarkaj zuri një vend në “llozhën e vëzhguesit”. Askush nuk mban mend nga ai ndonjë fjalim politik, përveç hartimeve me gjuhë urrejtje dhe përçarëse, kur herë përdor erdoganin, herë muhamedanët, herë vehabistët…, duke e dërguar veten në ‘fronin e Romës’, si kryeluftëtari i dijes, i së ardhmes, i ndritjes, i Europës që mezi e pret të drejtojë luftën e shenjtë ndaj së keqes.
Ky injorant politik, që deklaroi se, nëse Berisha rikthehet, ai do linte politikën, sot ka gjetur një shteg t’i dërgojë të fala atij, duke treguar se do të bëjë gjithçka që të jetë në krah të më të fortit. Ok, nuk është i vetmi këtu. Ka edhe të tjerë që e kanë parë Kuvendin si një ndërmarrje që marrin pagën, dhe nuk mbajnë asnjë përgjegjësi politike. Si ish-nënkryetar u tërhoq i pari nga beteja, nuk shkoi në mbledhje, nuk kërkoi mbledhje forumesh. Zgjodhi të bëjë sehirxhiun dhe sot, i drejtohet me fyerje mbledhjes së një forumi sipas të gjithë rregullave, edhe pse askush nuk u krenua aty se po largoheshin disa anëtarë.
Por, kur zgjedhin të përfaqësojnë Ilir Metën, me ç’të drejtë ai kërkon të jenë edhe në Këshillin Kombëtar të PD-së? Apo thjesht kaq kupton nga politika dhe ne nuk duhet ta marrim seriozisht?!
Sa për zupi, dupi, lupi apo pupi, është thjesht qesharake të dëgjosh një njeri, që ka mbaruar edhe gjuhë-letërsi, pavarësisht se si dhe se si ka gënjyer për shkolla të tjera, që të fshihet pas një stili që nuk bën të qeshë, e aq më pak të trondisë, as një fëmijë të klasës së pestë.
Gjekmarkaj, nëse është i shqetësuar për fatin e PD-së, duhej të ishte aty duke propozuar atë që do t’i dukej më e qartë politikisht për ringritjen e një partie që sheh qartë nga e ardhmja, pa pengje. Nëse ai nuk ka kurajo, le të mos fshihet pas hartimeve foshnjarake, e aq më shumë, të mos fshihet pas gjuhës bullizuese, pasi nuk i shkon as si profesor që mendon se ka qenë, as si deputet, as si numri dy i Kuvendit.