Luiz Ejlli dhe Olta Gixhari janë bashkuar për një projekt filmik pas përfundimit të eksperiencës në Big Brother VIP. Nga ‘rivalë’ në shtëpinë e BBV, ata do jenë në rolet si burrë dhe grua. Së fundmi dyshja janë kapur mat bashkë teksa xhironin filmin në Parkun e Tiranës.
Filmi i Luizit dhe Oltës do të jetë një komedi romantike, ku nuk do të mungojnë të qeshurat, por as lotët. “Në kuadër të dashurisë” shfaq një histori dashurie në kohët moderne që ndërlidh jetët e dy njerëzve dhe të familjeve të tyre.
Një çift i martuar prej vitesh janë në buzë të ndarjes. E ndërsa gatisin letrat e divorcit, një ftesë i’u vjen nga mamaja e vajzës për një festë surprizë ditëlindjeje. Të gjendur para sikletit, çifti vendos të lënë Tiranën, e të nisen në Korçë, në këtë vizitë e cila bashkon familjet e të dyja palëve. Pikërisht kjo vizitë do t’i tregojë atyre të vërteta të hidhura për veten dhe njerëzit e afërt duke bërë të ri-mendojnë edhe njëherë gjithçka.