Nga Ardit Rada/

Lulzim Basha ka qenë figura më e anatemuar nga kundërshtarët e tij politikë, në të paktën 9 vite të qeverisjes socialiste. Herë viktimë e gafave të tij, e herë stonaturë e gjallë në këngë e marrëveshje, ai ka mbajtur një peshë që për hir të së vërtetës s’e ka ndarë me Sali Berishën. Ose së paku, që prej 2013 edhe kur është akuzuar si marionetë e paardhësit të tij, ai e ka mohuar. Ndërsa Sali Berisha i ka shoqëruar ato me heshtje si për të thënë se “po, keni të drejtë”. Më pas, çarja e madhe që ndodhi me përjashtimin e Berishës nga PD hapi petët e lakrorit që askush s’e gëlltiste dot më. Berisha u distancua si njeriu që s’kish ndikuar kurrë tek Basha. Basha u deklarua si kryetari që ishte diktuar nga Berisha për aktet më të zeza të Partisë Demokratike. Nga djegia e mandateve, tek dhuna ndaj institucioneve dhe qëndrimi ndaj ambasadorëve etj.

Por sot, pa qenë nevoja t’i bëjmë edhe një herë biografinë opozitës, ndodhemi para një fakti sa të vjetër, po aq edhe deri diku ‘fatlum’ për PD. Lulzim Basha ka vendosur të kandidojë për kryetar të Partisë Demokratike. Edhe pse në një garë me Gjergj Hanin, ai sot me gjasë ka reflektuar pas një pushimi të gjatë dhe të ketë njohur miqtë dhe mosmirënjohësit që i vuri në krye të listave. Në fakt, kandidimi i ‘anonimit’ Hani s’ka asnjë mëkat në vetvete edhe pse e bën garën deri diku informale. Ndoshta ishte skenar i Bashës që Alibeaj të dorëhiqej pas 14 Majit, por Joridën apo Gazin që flirtonte me doktorin nga Vau i Dejës s’e mësonte dot Lulzimi që ta çonte partinë drejt një ngërçi në Grup e Kryesi.

Sot PD duket e paaftë më shumë se kurrë që të prodhojë elita të reja. Më saktë është e dukshme mungesa e burimeve njerëzore, e leje pastaj dëshira apo mekanizmat për t’ia dhënë drejtimin ndonjë asi. Ndaj, rizgjedhja e Bashës do ta shpëtonte PD-në së pari nga kameleonët që nisin nga Salianji, e mbarojnë te Korreshi me shokë. Nga ana tjetër duhet vlerësuar që Basha po vetofrohet për pozicionin më të lartë drejtues në PD në një moment të vështirë pas një serie sulmesh nga Berisha, sulme ndaj të cilave s’iu është përgjigjur në kushte të barabarta. Berisha mbetet ende i palëkundur në problemet që i shkakton PD-së, Rama mbetet më i fortë se kurrë falë mbështetjes së lartë elektorale. Kush do të sakrifikonte kaq shumë duke i hyrë detit në këmbë, me armiq ‘të brendshëm e të jashtëm?’. Duket se Lulzim Basha veç ambicieve dhe pishmaneve të tij, është personazhi i vetëm që mund të sigurojë mbështetjen financiare për PD-në, por edhe atë politike me kontaktet me ndërkombëtarët. Nuk duhet harruar se teksa Sali Berisha vetëshpallet muxhahedin edhe kërkon 1 minutë heshtje në Kuvend për dikë që s’i di as emrin, Lulzim Bashën s’ka mbetur ambasadë perëndimore pa e ftuar në festat kombëtare të shteteve respektive.

Për arsyet e mësipërme, Basha nuk është e thënë të japë garanci për fitoren e opozitës. Por së paku, i vështirëson Berishës shkatërirmin e PD dhe jep shpresën se ndoshta këtë vit që bëri pushim, ka bërë ndonjë kurs sesi bëhet opozitë.

Pa këndime himnesh, pa thirrje për thyerje xhamash, pa xhiro rreth Piramidës deri në marrje mendsh. Dhe sigurisht, një opozitë e djathtë pa Ilir Metën, të shoqen apo ‘maxhordomin’ Petrit Vasili. Kushdo që e drejton partinë e tyre pra dhe sido që t’ia vejnë emrin asaj.

Ndaj sot Lulzim Basha është e keqja më e vogël që demorkatët duhet t’i hapin derën. Duke qenë se të mirën ideale janë të pazotë ta gjejnë. (Javanews.al)