Kylian Mbappé pritet të transferohet te Reali i Madridit dhe prezantimi do të bëhet më 23 korrik. Ky është lajmi që vjen nga mediat spanjolle, sipas të cilave 24-vjeçari ka vendosur përfundimisht të transferohet në “Santiago Bernabeu”.

Yllit të sulmit i ka mbetur vetëm një vit kontratë te Paris Saint Germain, me klubin që i vendosi ultimatum, për të rinovuar kontratën ose për të nisur negociatat për shitjen, në mënyrë që të mos e humbasë me parametër zero. Të vendosur përballë dëshirës së lojtarit që të luajë te Reali, francezët janë gati të pranojnë ofertën.

Madrilenët do të paguajnë 200 milionë euro për kartonin e Kylian Mbappé, të cilave u shtohen edhe 50 milionë euro në formë bonusesh. Francezi cilësohet pasardhësi ideal për të zëvendësuar Benzema te gjigandët spanjollë.
Përveç përforcimit me yje, te Reali po mendojnë edhe për të ardhmen e stolit. Trajneri Carlo Ancelotti do ta drejtojë ekipin edhe për sezonin e ri dhe prej vitit 2024 do të marrë drejtimin e përfaqësueses së Brazilit.

Në Madrid kanë përzgjedhur edhe pasardhësin e italianit. Stoli do t’i besohet Xabi Alonso-s, që sezonin e kaluar debutoi në stolin e Bayer Leverkusen. Puna e tij tërhoqi menjëherë vëmendjen e presidentit Perez, që është gati t’i besojë stolin, për një përzierje perfekte mes të kaluarës dhe së ardhmes.