Ukraina po kryen fushatën më të madhe të riparimeve në historinë moderne të sistemit të saj energjetik, për t’u përgatitur për një dimër tjetër të sulmeve të mundshme ajrore ruse. Lajmi është konfirmuar nga ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko. Sulmet me raketa dhe dron në infrastrukturën energjetike pas pushtimit të plotë të Rusisë vitin e kaluar, shkaktuan ndërprerje të mëdha të furnizimit me ujë për miliona ukrainas gjatë dimrit.
“Fushata më e gjerë e riparimit në historinë e objekteve energjetike është duke u zhvilluar aktualisht në Ukrainë”, citohet të ketë thënë ministri i Energjisë në Telegram. “Objektet e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë janë duke u restauruar dhe po punohet për të forcuar qëndrueshmërinë e sistemit të energjisë ndaj sfidave ushtarake.”
Ukraina ka pothuajse dyfishuar tarifat e energjisë elektrike për konsumatorët nga 1 qershori, për të gjetur fonde për t’u përgatitur për dimër, kur konsumi i energjisë zakonisht është në nivelin më të lartë. Rreth 43% e infrastrukturës energjetike të Ukrainës është dëmtuar nga sulmet ajrore, vlerëson shpërndarësi shtetëror i energjisë Ukrenergo. Rreth 70% e nënstacioneve të tij janë sulmuar të paktën dy herë, thotë ai.