Nga Etleva Delia
ABC News
Marrëveshja e shtetit shqiptar me anëtarët e opozitës iraniane të strehuar në vendin tonë që nga 2013-a nuk është bërë asnjëherë publike. Shumë pak dihet rreth saj. Pjesa tjetër mbetet mister. Njësoj si qyteza prej 40 hektarësh në Manzë të Durrësit, e njohur si kampi “Ashraf 3”, ku strehohen afro 3000 muxhahedinë.
Ajo që dihet me siguri është se marrëveshja është humanitare dhe ka një klauzolë që i ndalon anëtarët e MEK të kryejnë veprimtari politike, e aq më pak kriminale. Klauzolë që ata e kanë shkelur.
Me një vendim gjykate në dorë, që ligjëronte kontrollin e 127 godinave në kampin “Ashraf 3”, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku drejtoi më 20 qershor aksionin në Manzë të Durrësit. Në kuadër të një hetimi të nisur, lidhur me dyshime se nga ambiente brenda kampit ishin kryer apo po planifikohej të kryheshin sulme kibernetike, SPAK iu drejtua Gjykatës më 19 qershor, duke kërkuar miratim për kontroll të ambienteve.
Pasi mori “ok” nga Gjykata, në orët e para të mëngjesit të datës 20 qershor nisi aksioni, ku përveç forcave policore, mes tyre edhe RENEA, ishin prezentë edhe dy prokurorët që kanë çështjen në hetim. U arrit të kontrolloheshin 70 ambiente nga 127 në total dhe u sekuestruan 96 njësi kompjuterike, 49 laptopë, 3 karta memorie dhe materiale të bollshme që u tentua të asgjësoheshin me djegie nga anëtarët e MEK..
Në takimin me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, 30 minuta para operacionit, drejtues të kampit kanë rënë dakord që policia të futej pasi janë njohur me urdhrat e kontrollit. Por përplasja ka nisur pas mbërritjes së 16 grupeve të policisë të ndarë me 3 e 4 efektivë, në momentin që nisën të sekuestronin pajisjet. Anëtarët e kampit kanë bërë rezistencë në momentin e nisjes së procedurës së sekuestros, duke tentuar të mos lejuar pajisjet të dilnin nga godinat.
Mësohet se procedimi penal është regjistruar nga SPAK rreth 2 muaj më parë. Burimet konfirmojnë se SPAK nuk ka urdhëruar për ndalime por vetëm kontrolle, ndërkohë që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (Departamenti i Policisë Kriminale), do të shoqërojnë disa persona për t’i pyetur në lidhje me pretendimet që ata kanë pasur këtë të martë pas ndërhyrjes së policisë dhe jo në kuadër të procedimit penal.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë deklaroi se në fillim është marrë aprovimi nga 6 drejtuesit e kampit, dhe pas 2 orësh kontrolle, në momentin që janë konstatuar parregullsi, ka nisur rezistenca e organizuar nga anëtarët e kampit. Rrumbullaku tha me siguri të plotë se nuk është ushtruar dhunë ndaj anëtarëve të MEK, megjithëse nga përplasja kanë mbetur të plagosur 15 policë dhe 21 prej tyre.
Përveç rezistencës, anëtarët e MEK nisën të shfaqin pretendime, madje edhe akuza ndaj Policisë. Ata thanë se Policia kishte vrarë një prej tyre. Akuzë që u hodh poshtë nga Policia. Në lidhje me këtë person që kishte ndërruar jetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se ky person, gjatë sulmit ka qenë në një qendër emergjence ndërsa konkluzionet do të mësohen pasi të dalë ekspertiza.
Nga ana tjetër, pas ngjarjes që ndodhi, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi tha se pavarësisht incidentit, nuk është menduar prishja e marrëveshjes, e cila do të vazhdojë të jetë vetëm për qëllime humanitare. Ndërsa tha se ata kanë kryer aktivitete politike, kanë botuar gazeta për çështje politike, pavarësisht se nuk janë bërë publike dhe është biseduar me ta për këtë çështje, që ishte në kundërshtim me marrëveshjen.
Gjykata e Posaçme vendosi kontrollin në kampin e MEK
Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet pas referimit të Policisë së Shtetit që kishte siguruar informacion se anëtarët e kampit MEK me seli në Manzë, kanë kryer disa sulme kibernetike në drejtim të shtetit të Iranit.
Referuar vendimit të Gjykatës së Posaçme që mban datën 19 qershor 2023, hetimi ka nisur pas referimit nga ana e Policisë së Shtetit në SPAK për 6 vepra penale, duke nisur nga ajo e “Provokimit të luftës”, “Përgjimit të paligjshëm të të dhënave kompjuterike”, “Ndërhyrjes në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrjes në sistemet kompjuterike” dhe “Keqpërdorimit të pajisjeve”, të gjitha këto të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Sipas hetimeve ka rezultuar se, anëtarët e kampit MEK, kanë kryer sulme kibernetike në disa institucione në shtetin e Iranit dhe për këtë është urdhëruar edhe kontrolli në ambientet e kampit në Manzë.
Në vendim thuhet se, ka dyshime të arsyeshme se organizata MEK, nga territori i Republikës së Shqipërisë ka kryer sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit në disa periudha të ndryshme kohore dhe drejt disa institucioneve të shtetit të Iranit. Duke qenë se statusi i qëndrimit të organizatës MEK në Shqipëri është humanitar, Republika Islamike e Iranit në vazhdimësi ka pretenduar duke ngritur këto dyshime si dhe në mënyrë të vazhdueshme kërcënon se do të ndërmarrë sulme ndaj Shqipërisë dhe organizatës MEK. Me qëllim gjetjen e serverave apo pajisjeve të tjera kompjuterike që mund të jenë përdorur për sulmet kibernetike nga territori i Republikës së Shqipërisë është e domosdoshme kryerja e kontrollit në vendqëndrimin e pjesëtarëve të organizatës MEK, në Durrës.
Më tej në vendimin e Gjykatës thuhet se, nga hetimet e deritanishme dhe të dhënat e referuara nga ana e policisë gjyqësore rezulton se ka dyshime për faktin se pjesëtarë të organizatës MEK, me vendqëndrim në Manzë, janë të përfshirë në aktivitet kriminal të terrorizmit dhe financimit të terrorizmit. Gjithashtu në vendim thuhet se, organizata mek ka një strukturë të centralizuar dhe hierarkike, ku drejtuesja e organizatës është Myryam Raiavi, bashkëshortja e ish-themeluesit të organizatës Mossad Raiavi. Pajisjet e sekuestruara nga Policia në aksionin e datës 20 qershor, do t’i nënshtrohen një ekspertize që pritet t’i vijë në ndihmë hetimeve të SPAK.
SPAK kërkoi kontrollin e banesave të ish-anëtarëve të MEK
Një operacion i Drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit, i drejtuar nga Prokuroria e Posaçme u zhvillua më 15 korrik të vitit 2022. Hetimet u udhëhoqën nga prokurori i SPAK, Vladimir Mara, pasi Gjykata kishte vendosur kontrollin e ambienteve. Edhe në atë kohë, kontrollet u kryen në ambiente që përdoreshin nga ish-anëtarë të MEK, të cilët ishin shkëputur nga kjo organizatë dhe dyshohej se po kryenin aktivitet të ndaluar brenda territorit të vendit tonë për llogari të Organizatës Terroriste të Gardës Revolucionare të Iranit dhe shërbimeve sekrete atje.
Më datë 12 korrik të vitit 2022, gjyqtarja e GJKKO Etleva Deda pranoi kërkesën për të ushtruar kontrolle në zyrat e një shoqate të drejtuar nga një ish-anëtar i MEK, i quajtur Hassan HEYRANI, dhe në 11 apartamente të shpërndara në Tiranë që ishin në përdorim nga shtetasit iranianë, dhe në dy makina.
Operacioni nisi më 14 korrik dhe vijoi edhe të nesërmen. Pati disa persona të ndaluar që u shoqëruan në Drejtorinë e Antiterrorit, por pasi u morën në pyetje u lënë të lirë. Në operacion morën pjesë edhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ish-anëtarët e MEK, dyshohej se vepronin si një celulë terroriste në vend dhe jepnin informacione për muxhahedinët e strehuar në Manzë. Sipas hetimeve, rezultoi se në shënjestër të grupit ishte numri dy i MEK, Mehdi Abrishamshi.
Zbulohet celula terroriste që do të godiste MEK
Më 23 tetor të vitit 2019, Ardi Veliu, në atë kohë drejtor i Përgjithshëm i Policisë, bashkë me Gledis Nanon që drejtonte Antiterrorin, në një konferencë për shtyp deklaruan se një rrjet terrorist, i drejtuar nga regjimi iranian është zbuluar në Shqipëri. Ardi Veliu tha se synimi i këtij rrjeti ishte kryerja e sulmeve ndaj lëvizjes opozitare iraniane (MEK).
Bëhej fjalë për një celulë aktive terroriste e njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS iraniane që ishte zbuluar nga institucionet shqiptare të sigurisë. Celula terroriste ishte gjithashtu përgjegjëse, mes të tjerash, për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK), plan që u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit, falë informacioneve të sakta.
Kjo celulë drejtohej nga operativi i Forcave QUDS, i njohur si PEYMAN. PEYMAN në atë kohë flitej se ishte rezident i përhershëm në Iran dhe menaxhonte në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Europën Qendrore dhe Perëndimore. Mes të tjerash, ai kishte iniciuar dhe zbatuar tentativën e fundit për sulm në muajin mars 2018. PEYMAN menaxhonte shumë operativë, disa për grumbullim informacioni dhe të tjerë për të kryer sulme terroriste. Një nga këta operativë ishte Alireza Naghashzadeh, një iranian i cili ishte vetë një ish-anëtar i MEK-ut dhe zotëronte një pasaportë austriake. Naghashzadeh u dërgua nga PEYMAN-i për të grumbulluar informacion në Shqipëri gjatë disa vizitave të veçuara, si pjesë e planeve për një sulm që eventualisht u ndalua. Një tjetër operativ, ishte Abdolkhalegh MALEK ZADEH, një iranian që jetonte në Turqi dhe që kishte drejtuar celulën operacionale. MALEK ZADEH (i njohur gjithashtu nga lidhjet kriminale me pseudonimin “Ferhat”). Ai kishte vazhduar të punonte gjatë dy viteve të fundit me Abdulselam Turgut, një figurë e njohur e krimit të organizuar turk, për të planifikuar sulme terroriste me urdhër të PEYMAN-it dhe të Forcave QUDS. TURGUT, i njohur si një bos mafioz turk dhe kreu i një rrjeti të fuqishëm ndërkombëtar të trafikut të drogës ishte burgosur në Azerbajxhan e më herët edhe në Turqi, me akuza për trafik droge. TURGUT kishte gjithashtu lidhje të vjetra me krimin e organizuar në Shqipëri. Ai ishte liruar nga një burg në Turqi në fund të vitit 2018. Në vitin 2011, TURGUT ishte burgosur gjithashtu në Shqipëri me akuza në lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë, por u arratis nga vendi duke përdorur një pasaportë false, pasi gjykata ndërroi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”.
Operativët kriminelë, me bazë në Ballkan, që ishin vartës të TURGUT-it ose të një trafikanti droge turk të lidhur me të, nga viti 2018, ishin dërguar në Shqipëri për të avancuar planifikimin e sulmeve kundër MEK-ut, siç ishte diktuar nga MALEK ZADEH dhe Forcat QUDS. Autoritetet shqiptare i patën identifikuar këta individë dhe informacioni i siguruar nga informatorë nga brenda organizatave kriminale i kishte lejuar autoritetet shqiptare që të parandalonin planin e marsit 2018 dhe planifikimet eventuale për sulme nga figurat e krimit të organizuar që kishin si objektiv MEK-un për llogari të regjimit Iranian. Nga viti 2014, në koordinim me Kombet e Bashkuara dhe SHBA, Shqipëria ka pritur një numër anëtarësh të MEK-ut, një organizatë që e sheh veten si opozita në mërgim dhe si një alternativë praktike ndaj regjimit iranian dhe për këtë shkak regjimi iranian e sheh atë si kërcënim serioz për mbijetesën e tij. MEK-u është një shënjestër kyçe për forcat e sigurisë iraniane, të cilat tentojnë të sulmojnë anëtarët e organizatës kudo ku ata mund të jetojnë dhe operojnë jashtë Iranit. Institucionet shqiptare të sigurisë kanë qenë në alert gjatë gjithë kohës për të ndalur çdo tentativë për sulm.nPërfaqësues të opozitës iraniane në Shqipëri denonconin në vitin 2019 se në vendin tonë jetonin dhe vepronin të tjerë agjentë iranianë, madje tregonin edhe emrat e disave prej tyre. Anëtarët e opozitës iraniane që jetojnë në kampin “Ashraf 3”, në Manzë të Durrësit, e kanë mësuar nga mediat që përcollën deklaratën e kreut të Policisë Ardi Veliu për zbulimin e një celule terroriste që kishte planifikuar në sulm terrorist gjatë festimeve të bektashinjve marsin e 2018 në vendin tonë.
Përfaqësuesi i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë të MEK Ali Safavi: “Ne nuk ishim në dijeni të informacionit që paraqiti drejtori i Policisë së Shtetit, por sidoqoftë ne kemi thënë vazhdimisht se regjimi i Iranit ka një rrjet shumë të gjerë terrorist në Europë, përfshi Shqipërinë, duke përdorur ata që njihen si ish-anëtarë të Ministrisë së Inteligjencës, që të organizohen për sulme terroriste, siç ishte rasti i Marsit 2018. Forcat e rendit në Shqipëri duhet të përgëzohen për punën e kujdesshme, duke mbledhur informacion mbi atë rrjet, por ne mendojmë se Europa duhet të mbyllë ambasadat e Iranit, sepse ato nuk kanë funksion diplomatik por ato drejtojnë dhe lehtësojnë operacione ndaj kundërshtarëve të regjimit dhe përgatisin sulme terroriste”.
I pyetur nëse shqiptarët duhet të frikësohen nga akte të ngjashme si ai i marsit 2018, i përgatitur gjatë festimeve e me shumë njerëz, përfaqësuesi i MEK tha se të gjithë duhet të jenë vigjilentë. Madje jo vetëm shqiptarët sipas tij, por edhe europianët, pasi terrorizimi i regjimit nuk kufizohet vetëm në Shqipëri. “Ata janë aktivë ngado nëpër Europë. Pak muaj më parë një diplomat u përzu nga Danimarka, një tjetër nga Holanda. Regjimi organizoi sulme terroriste në Bullgari e madje edhe në Tailandë, në Arabinë Saudite. Edhe në Uashington ata tentuan të vrisnin ambasadorin e Arabisë Saudite. Pak më herët ata tentuan të vrasin edhe zyrtarë të lëvizjes sonë në Uashington vitin e kaluar dhe FBI arrestoi 2 agjentë të inteligjencës iraniane. Prandaj ne themi se terrorizmi është një kolonë e politikës së jashtme të regjimit të Iranit, prandaj Europa duhet të jetë shumë vigjilente. Në 1997 BE miratoi një deklaratë për të përzënë agjentët e shërbimit iranian e për të mos dhënë viza për të hyrë në Europë. Duket se nuk po e respektojnë atë deklaratë. Nëse Europa dëshiron të jetë e sigurt, duhet t’i përzërë agjentët iranianë e të mbyllë ambasadat e tyre në Europë”, shprehet Ali Safavi.
Celula, lidhje me 4 vrasje në Holandë, Gjermani e Turqi
Forcat QUDS janë krahu operacional i IRGC (Islamic Revolutionary Guard Corps – Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit) që vepron përtej kufijve të Iranit. Forcat QUDS drejtohen nga Qassem Soleimani, i cili është përgjegjës, mes të tjerash, për aktivitetin e Iranit në Jemen, Irak, Siri dhe Liban. Celula terroriste i përkiste, njësisë së operacioneve të jashtme të Forcave QUDS, një njësi operacionale e konsideruar si klandestine dhe sekrete, e cila është përgjegjëse për planifikimin dhe zbatimin e aktivitetit terrorist jashtë Iranit. Brenda kësaj njësie, ka një nënnjësi që merret ekskluzivisht me organizatat që janë kundër regjimit. Modus Operandi i njësisë përfshin menaxhimin nga distanca të forcave të treta (proxy), zakonisht kriminelë dhe anëtarë të mafies me të kaluar të ndryshme, në mënyrë që të mbulohet përfshirja e Iranit në terrorizëm. Duke përdorur këtë Modus Operandi, MOIS (Ministry of Intelligence and Security – Ministria e Inteligjencës dhe Sigurisë) të Iranit ka vrarë të paktën 4 opozitarë të regjimit në Holandë, Gjermani dhe Turqi dhe ka organizuar sulme të pasuksesshme, sikurse ishte sulmi i fundit i mbetur në tentativë kundër konferencës së MEK-ut në Paris, në Qershor 2018.
Mbërrijnë në Shqipëri edhe 2000 muxhahedinë
Pasi kishin kaluar 3 vjet nga mbërritja e muxhahedinëve të parë, kryeministri Edi Rama pranoi se SHBA i kishin kërkuar strehimin në vendin tonë të 2000 muxhahidinëve të tjerë, që kishin mbetur në Irak. Këtë kërkesë Rama e pranoi si një gjest të vijimit të traditës shqiptare në mikpritjen e njerëzve në nevojë. Pas mbërritjes të 2000 muxhahidinëve në 14 shkurt 2016 Shqipërinë e vizitoi sekretari i atëhershëm i shtetit i SHBA John Kerry, i cili falënderoi Shqipërinë për marrjen e muxhahidinëve të cilët më pas pasi, blenë një tokë në Manzë të Durrësit ndërtuan kampin Ashraf 3.
Marrëveshja mes SHBA dhe Qeverisë Shqiptare për strehimin e anëtarëve të MEK, ka disa klauzola. Por ajo që është bërë publike deri më sot është fakti se ata janë strehuar në vendin tonë për qëllime humanitare dhe një nga pikat e marrëveshjes është që ata të mos kryejnë asnjë veprim politik, apo edhe kriminal ndaj vendetë të tjera. Përfshirja e organizatës MEK në aktivitet të mirëfilltë politik opozitar, kësaj here mijëra kilometra larg Teheranit, bëri që në gusht të vitit 2022, Irani në formë hakmarrje ndaj tyre sulmoi sistemet qeveritare digjitale shqiptare. Përballë kësaj situate me një gjuhë të kujdesshme, vetë kryeministri Edi Rama e më pas zëvendës kryeministria Belinda Ballaku, i kujtuan të ardhurve të MEK se në Shqipëri ndodhen për qëllime humanitare e jo aktivitet politik.
Mbërrijnë muxhahedinët e parë në Shqipëri
Më 16 maj të vitit 2013 mbërritën në vendin tonë 14 muxhahedinët e parë iranianë, të cilët u strehuan përkohësisht në Qendrën e Pritjes së Azilkërkuesve, në Babrru të Tiranës. Ata ishin 10 burra e 4 gra. Ata ishin të parët nga 210 që do të vinin në dy muajt në vazhdim, në zbatim të një marrëveshjeje për strehim, nga kampi Ashraf i Irakut, që ishte një përgjigje e qeverise shqiptare ndaj kërkesës së asaj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Strehimi i tyre, që nga momenti kur zbritën në Aeroportin e Rinasit, është mbajtur nën mbikëqyrje nga forcat e Policisë së Tiranës, nën masa të rrepta sigurie. Kjo për shkak të problematikës që ata mbartin me vete por edhe ekspozimit nga ndonjë hakmarrje e mundshme. Në vitin 1991, kur Iraku u pushtua nga SHBA dhe një koalicion prej 39 vendesh, e njohur si “ Lufta e Gjirit”, opozita iraniane MEK, që vepronte nga Iraku me mbështetjen e Sadam Hysejnit, pranoi të dorëzojë armët e të vendoseshin në dy kampe humanitare nën mbrojtjen e amerikanëve. E megjithëse ishin nën mbrojtje, ata herë pas here ishin nën shenjestër të sulmeve të shiitëve iraken.
Kur SHBA u tërhoq nga Iraku në vitin 2007, la pas anëtarët e MEK, për të cilët kërkonte një zgjidhje. Zgjidhje që nuk arriti ta gjente me vendet europiane. Lidhur me këtë çështje, më vitin 2012 mbërrin në Tiranë ish-sekretarja amerikane e shtetit Hillary Clinton, e cila kërkoi ndihmë nga Shqipëria në strehimin e MuxhahEdinëve. Në Mars të vitit 2013, kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha pranoi që vendi ynë kishte rënë dakord për të marrë nga kampi Liberti në Irak 210 muxhahEdinë. Marrëveshja e shtetit shqiptar me anëtarët e opozitës iraniane të strehuar në vendin tonë që nga 2013-a nuk është bërë asnjëherë publike. Ajo që dihet me siguri është se marrëveshja është humanitare dhe ka një klauzolë që i ndalon anëtarët e MEK të kryejnë veprimtari politike, e aq më pak kriminale. Deri tani janë shkëputur nga organizata rreth 450 persona, nga të cilët janë larguar jashtë vendit 400, 100 në mënyrë legale dhe 300 ilegalisht. Ndërsa 50 persona janë akomoduar në Tiranë në pritje për t’u larguar nga Shqipëria.
Se çfarë do të zbulojë SPAK brenda kompjuterëve të sekuestruara në kampin e MEK, kjo mbetet për t’u parë. Por këmbëngulja e tyre deri në përplasje me Policinë për të mos i dorëzuar ngre dyshime ndoshta edhe më të mëdha sesa ato që kanë ngritur prokurorët. Mes tyre janë infiltruar herë pas here persona që kanë kryer jo vetëm sulme kibernetike por edhe terroriste, që fatmirësisht janë parandaluar. Madje disa kanë qenë pjesë e MEK e janë rekrutuar për të kryer spiunazh. Pas përplasjes së të martës, tashmë na mbetet veçse të presim, për të kuptuar se deri në ç’pikë e kanë shkelur marrëveshjen muxhahedinët, që siç tha edhe ministri i Brendshëm, thyen kodin e mikpritjes.