Në ekranin e SuperSport News u transmetua mbrëmjen e së hënës dokumentari ‘Lorik’, dedikuar kapitenit legjendar të kombëtares Shqiptare, Lorik Canës. Ish-qendërmbrojtësi debutoi me fanellën kuqezi në qershor të 2003-shit, në moshën 19-vjeçare, me humbjen 3-2 ndaj Zvicrës në transfertë dhe që atëherë u shndërrua në një pikë referimi në kombëtare.

Një nga momentet më të veçanta në karrierën e ish-kapitenit të kombëtares është edhe momenti kur në vitin 2002, Cana mbërriti te PSG. Edvin Murati që kishte luajtur më parë me francezët u shpreh se një mjek e lajmëroi për transferimin e Canës në Francë ndërsa nga ana tjetër, menaxheri tregoi se Loriku të bënte përshtypje menjeherë sapo e shihje. Vetë Cana shprehet se në atë kohë te parizienët ishin emra si Ronaldinho apo Anelka.

“Isha në dhomat e zhveshjes dhe më thotë mjeku se një shqiptar kishte mbërritur te Parisi”, tha ish-lojtari i kombëtares Murati.

“17-vjeç 1.86 i gjatë dhe kur e sheh për herë të parë është “uou”. Shqiponja në qafë dhe maturia e pjekuria të bënin përshtypje në pamjen e parë”, tha menaxheri. “Në Paris ishin Anelka, Ronaldinho, Pochetino, Heinze, lojtarë me famë botërore”, shprehet Cana.