Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha sot në Berlin se Ukraina ka të drejtë të çlirojë tokën e saj. Komentet zoti Stoltenberg i bëri ndërsa u takua me kancelarin gjerman Olaf Scholz. Ndërkohë, sot Ukraina njoftoi se forcat ruse janë dëbuar nga tetë fshatra, në kundërsulmin e saj dy-javor për çlirimin e territoreve të pushtuara nga Moska. Udhëheqësi i aleancës ushtarake më të madhe në botë, Jens Stoltenberg tha sot se tokat e çliruara e vendosin Ukrainën në një pozicion më të favorshëm në tryezën e negociatave të mundshme për fundin e luftës.
“Ukraina ka të drejtë të çlirojë tokën e saj dhe tani është duke zhvilluar një kundërsulm. Të gjithë duam që kjo luftë të përfundojë, por paqja e drejtë nuk nënkupton ngrirjen e konfliktit dhe pranimin e një marrëveshjeje të diktuar nga Rusia”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në Berlin, gjatë diskutimeve me kancelarin gjerman Olaf Scholz mbi përgatitjet për një takim të nivelit të lartë të NATO-s në Vilnius. Zëvëndësministrja ukrainase e Mbrojtjes, Hanna Maliar tha sot se gjatë dy javëve të fundit, forcat e Ukrainës kanë rimarrë kontrollin e tetë fshatrave, duke përfshirë edhe atë Pjatkatki në rajonin e Zaporizhias. Kievi thotë se nga fillimi i kundërofensivës, trupat ukrainase kanë çliruar 113 kilometra katrorë të territorit të pushtuar nga forcat e Kremlinit.
“Shqetësimi i vetëm i vendit terrorist duhet të jetë përgatitja e shoqërisë ruse për faktin se do të humbasin gjithçka, duke shkatërruar të ardhmen e vendit të tyre. Rusia do t’i humbasë territoret e pushtuara. Nuk ka dhe nuk do të ketë alternativë tjetër”, tha të dielën vonë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Ushtarët në fushëbetejë thonë se morali i tyre është i lartë. “Ne po ecim përpara me tërë kapacitetin tonë. Kemi një urdhër që të mos tërhiqemi, por të përparojmë”, thotë një ushtar ukrainas i njohur me nofkën violinisti. “Duam të çlirojmë Krimenë dhe Donbasin dhe t’i bëjmë ata të paguajnë për çdo të vrarë. Edhe nëse fitojmë, beteja nuk mbaron”, thotë një komandant lufte i njohur me nofkën Lermontov. Zyrtarët rusë thanë se bombardimet në rajonin Belgorod të Rusisë, që ndodhet pranë kufirit me Ukrainën, plagosën shtatë civilë.
Ministria britanike e Mbrojtjes tha në vlerësimin e fundit të saj se Rusia ka shumë të ngjarë të ridislokojë mijëra trupa nga brigjet lindore të lumit Dnipro, për të shërbyer si përforcime për forcat ruse në zonat e Bakhmutit dhe Zaporizhias. Zyrtarët britanikë thanë se kjo lëvizje mund të pasqyrojë perceptimin e Rusisë se pas shembjes së Digës në Kakhovka dhe përmbytjeve vdekjeprurëse, Ukraina ka më pak gjasa të organizojë një sulm të madh përgjatë lumit Dnipro.