Nesër myslimanët në Shqipëri dhe në mbarë botën kremtojnë një festë të rëndësishme, atë të Kurban Bajramit. Kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, ka uruar besimtarët në emër të tij dhe në emër të komunitetit.

“Të dashur besimtarë myslimanë, shqiptarë kudo që ndodheni. Nesër në Shqipëri dhe mbarë botën, myslimanët kremtojnë festën e Kurban Bajramit. Kurban Bajrami është një festë që materializon bindjen e lartë, dorëzimin, durimin dhe sakrificën e njeriut ndaj Zotit të gjithësisë. Kurban Bajrami është festë që përjetohet në çdo zemër e në çdo vatër. Është pjesë e gjithë shoqërisë. Ata që kanë mundësi presin kurban dhe shpërndajnë për çdo njeri e familje në nevojë. E kjo e bën këtë festë që të futet në çdo shtëpi. Të gjithë e ndjejnë atmosferën dhe solidaritetin e kësaj feste. I lutemi Zotit për kombin tonë, për rininë, për mësuesit, mjekët, policët, ushtarakët dhe gjithësecilin që punon për sigurinë, mirëqenien dhe prosperitetin e vendit tonë. Ju uroj gëzuar Kurban Bajramin”.