Vijon megaoperacioni policor antikanabis i koduar “Imazhi” në qarkun e Lezhës. Gjenden të kultivuara në parcela në tokë pyjore në fshatin Kaluer, Lezhë dhe fshatin Gërnac, Kurbin, në total 600 bimë cannabis sativa, të cilat asgjësohen me anë të djegies.
Forcat policore të pajisura me dronë për kontrolle nga ajri si dhe kontrolle në terren, në zbatim të planit operacional mbarëkombëtar, me fokus parandalimin, konstatimin dhe goditjen e kultivimit të bimë narkotike, kanë vijuar kontrollet intensive në të gjithë territorin, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Imazhi”.
Gjatë fazës së dhjetë të tij, në territorin e fshatit Kaluer, Lezhë, u gjetën të kultivuara në tokë të ndara në parcela 300 bimë narkotike cannabis sativa si edhe në fshatin Gërnac, Kurbin, u gjetën të kultivuara në tokë në zonë të pyllëzuar, 300 bimë të tjera narkotikë cannabis sativa, të cilët u asgjësuan me anë të djegies.
Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijon veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.
Gjatë 9 fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, në fshatra të ndryshëm të qarkut, u asgjësuan me anë të djegies në total 14.779 bimë narkotikë dhe u vunë në pranga 3 shtetas si dhe u shpall 1 tjetër në kërkim, autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.