Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga sfida me Moldavinë, trajneri Sylvinho dhe stafi teknik i Kombëtares morën lajme të mira. Mbrojtësi Frederik Veseli u kthye të stërvitet me grupin dhe kaloi alarmin e dëmtimit.

30-vjeçari që sezonin e kaluar u aktivizua me Benevento-n në Serie B, vuante nga një problem në shpatull, të cilin e mori gjatë ndeshjes së fundit të kontrollit.

Megjithatë, pas përkujdesjes së stafit mjekësor, Veseli ishte në gjendje që të vijonte përgatitjet normale me ekipin.

E vetmja dilemë te kuqezinjtë mbetet gjendja e Berat Gjimshitit. Mbrojtësi i kthyer së fundmi në fushë, pas një dëmtimi të gjatë, nuk ka qenë në gjendjen më të mirë. Situata e tij do të monitorohet deri në fund, për të vendosur nëse ai do të jetë në fushë, më 17 qershor.

Me të shtunën që po afrohet, Kombëtarja ka ulur intensitetin fizik në stërvitje dhe puna është përqendruar te puna me top. Qëllimi është që ekipi të përthithë sa më mirë idetë e trajnerit Sylvinho, për ti zbatuar më pas në ndeshje.

Pas sfidës me Moldavinë në Arenën Kombëtare, Shqipërinë e pret transferta e 20 qershorit me Ishujt Faroe. Objektivi i shpallur i kuqezinjve është marrja e gjashtë pikëve, për të synuar deri në fund kualifikimin në fazën finale të Euro 2024.