Katastrofa pranë Greqisë të mërkurën, në të cilën dyshohet se kanë vdekur rreth 600 emigrantë dhe refugjatë është “tragjedia më e madhe në Mesdhe”, tha të premten komisionerja për Çështjet e Brendshme të Bashkimit Evropian, Ylva Johansson.
“Nuk i kemi ende të gjitha informacionet për atë që ndodhi, por duket se është tragjedia më e madhe në Mesdhe”, u tha Johansson gazetarëve në Bruksel, sipas Ansa-s.
“Trafikantët që i vendosën këta njerëz në këto varka nuk po i dërgojnë në Evropë, po i dërgojnë në vdekje. Është absolutisht e nevojshme të parandalohet kjo”, shtoi ajo.
Fatkeqësia ndodhi pasi një peshkarexhë e mbushur që besohet se mbante rreth 750 njerëz, duke përfshirë rreth 100 fëmijë, u përmbys kur një anije e rojës bregdetare greke filloi ta tërhiqte atë në vend të sigurt.
105 persona u shpëtuan dhe deri më tani 78 persona janë konfirmuar të vdekur. Të premten në mëngjes autoritetet greke thanë se një kërkim gjatë natës për të zhdukurit nuk arriti të gjente askënd.
Peshkarexha po udhëtonte nga Libia në Itali dhe përfundoi në Pylos në Greqi. Greqia ka arrestuar 12 trafikantë egjiptianë të dyshuar duke shtuar se mund të arrestojë më shumë në orët dhe ditët në vijim.