Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mundur ta “fusë cilindo serb” nga Kosova në listën që e lexoi në seancën e Kuvendit të Kosovës. “…sepse, njerëzit tanë në katër komunat në veri të Ibrit janë të bashkuar në rezistencën e tyre ndaj sundimit të terrorit të tij”, tha Petkoviq, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e tij, e në të cilën kryeministri i Kosovës përshkruhet me shprehje fyese. Duke folur të premten para Kuvendit të Kosovës, Kurti lexoi emrat e disa personave, për të cilët pretendoi se kanë qenë të përfshirë në përleshjet me paqeruajtësit e KFOR-it dhe me Policinë e Kosovës, gjatë protestave të qytetarëve serbë, më 29 maj, në Zveçan.
Petkoviq e cilësoi atë si “listë për pushkatim”.
Ai tha se me publikimin e saj, Kurti “ka marrë peng të gjithë ata banorë të ‘Kosovës dhe Metohisë’ që duan vetëm paqe, stabilitet dhe mundësi për të jetuar në një shoqëri pak a shumë normale, në kohë paqeje”. Në komunikatën e Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë thuhet, po ashtu, se Kurti e ka humbur mbështetjen e ndërkombëtarëve – pa u specifikuar se të kujt – dhe se po përpiqet ta pengojë me forcë largimin e tij “në histori politike”. Kryeministri Kurti gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës më 2 qershor, tha se protestat në veri të vendit nuk janë vullnet i serbëve që jetojnë në ato komuna, por janë të organizuara nga Beogradi zyrtar.
Ai e quajti situatën në veri “të tensionuar dhe të rrezikshme”, por tha se nuk mund të kontribuojë në krijimin e strukturave paralele në veri sepse “nëse objektet komunale nuk janë për kryetarë, atëherë për kë janë?!”. Kurti tha se tani është në pyetje “çlirimi i komunitetit serb nga milicia fashiste” dhe se ky komunitet ka nevojë për pluralizëm politik. Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.
Ato u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj. Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”. Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.
Komuniteti ndërkombëtar diplomatik, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francës, si dhe vendet tjera të shteteve të QUINT-it, e kanë bërë Qeverinë e Kosovës fajtore për tensionimin e situatës në veri të vendit.