Nga Kristo Mërtiri/
Një vërsnik e shoku im i fëmijërisë në Tepelenë (sot me titujt më të lartë shkencorë, fituar me djersë, mund e sakrifica), ishte dhe mbeti hokatar i këndshëm, i zgjuar e shpotitës origjinal. Ky tipar jo i zakonshëm, nuk i bëri firo hiç edhe kur filloi punë si mësues mes nxënësve nga fshati e qyteti. Veçse me ata të “shkollës së natës”(pa shkëputje nga puna) sikur çlirohej më tepër dhe rrëfente e cyste më lirshëm e natyrshëm. Por mjaft prej tyre ishin më të mëdhenj në moshë ose baballarë me fëmijë. Këta ishin edhe më “hazër xhevap” Brenda e jashtë orëve të mësimit. Madje ndonjëri “konkuronte” edhe me batutat e mësuesit shakaxhi që donte ta bënte sa më pak monotone e formale mësimin e mbrëmjes. Aq më tepër kur shumica vinin të lodhur e të raskapitur pas punëve fizike të ditës në ndërtim, minierë, bujqësi etj. Shumë vite më parë, pasi dëgjoi me vëmendje përgjigjet e një nxënësi humorist nga Luzati, i drejtohet me zë të lartë përpara klasës:
-Po e dhe të plotë përgjigjen e pyetjes, do marrësh notën maksimale për sonte : Sa lloje qensh ka në rrethin tonë?
-Kemi qen rrugësh e sokaku; kemi qen stani; gjahu; ata të kufirit; qen të tërbuar; qen rojë; kulishë e zagarë që lehin më kot ditë e natë dhe prishin qetësinë e njerëzisë. ..
-Pa mendohu mirë, a ka lloje të tjerë ? Mos u nxito, që të mos e humbasësh shansin…
Ngryset në fytyrë, vret pakëz mendjen ashtu në këmbë pranë dërrasës së zezë dhe pa pritur të binte zilja e mbarimit të orës së Zoologjisë, buzëqesh plot ironi dhe po bëhej gati t’u vinte kapak pyetjeve të mësipërme të ish shokut-mësues.
-Hëë, nuk e kapërceve dot përroin e xha Dilos mbi Vjosë ! Ka apo nuk ka lloj tjetër ?
-Është edhe një, zoti mësues : Ka edhe “qen bir qeni” si ty !…
Shpërthyen menjëherë të qeshurat që thyen atë mbrëmje të ftohtë dimri në Tepelenë. “Inati” u shua shpejt në fytyrën e mësuesit hokatar. Punëtori – nxënës nga Luzati mori notën e mirë, larg çdo hakmarrjeje vulgare e provinciale… Këtë episod të vjetër e kujtuam parmbrëmë te Brryli në Kryeqytet, kur lexuam një fabul të Kastriot Hadërit, i cili merr “brumë” të gatshëm nga jeta politico- sociale në Parlament e jashtë tij, nëpër partira e shoqata lumë dhe i gatuan në laboratorin e vet. Syrit dhe veshit të ish-ushtarakut në pension, nuk i shpëton asgjë që mund të shërbejë për humor të shëndetshëm e të freskët si burimet e Picarit të Labërisë. Se në këtë botë të trazuar ka edhe “jetë qeni”( jo si ata që mbahen nëpër dhoma gjumi e krevate, me banja të veçanta e ushqime speciale dhe të zotët e tyre shajnë nga mëngjezi në darkë qeveritë e “poshtra” për fukarallëkun e ulur këmbëkryq !). Ka shumë njerëz që “ punojnë si qen” dhe në kushte të vështira, por çdo fundmuaji u këputet shpirti për të siguruar kafshatën e gojës së fëmijëve e të familjes. Ndërsa hajdutëria publike e private, bën kërdinë pa punuar e pa fituar me djersën e ballit. Pehlivanët zyrtarë e jo zyrtarë kërkojnë me qiri çdo burim të jashtligjshëm ose kaparosin ndere e qedere mbi kurrizin e të varfërve. Me çdo mënyrë e me cdo mjet ! Me mikrofonë e pa mikrofonë; me video e pa video; me çanta dore e shpine; me doreza e pa doreza lëkure a plastike. Shesin dhe blejnë gjithcka nëpër pazare karakteresh të fëlliqura. i pikasin mirë, deri në zyra e zgjyra pushteti. Dhe i bëjnë fyt llojet e tenderave. Deri te ai i sterilizimit të qenërve në Kukës e gjetkë. Dhe nuk është thjesht sterilizim veglash a plagësh. Makutëria i vë flakën ndershmërisë e dinjitetit, përgjegjshmërisë e personalitetit. Më shqip, i hap udhë edhe vetë kurvërisë së pashoqe ! Duke shkelur haptas çdo kufi tragjikomedie marroke. Dhe jo më kot ligjëron Kastrioti fabulist :” Po ja…kemi qen të stanit,/ që nuk i ndahet çobanit./ Cave s’u shqitet zinxhiri,/ ka qen droge e kufiri./ Ca nxjerrin gjahun në prita,/ raca tjetër tërheq slita./ Konet me stoli te gusha,/ janë për zonja e zonjusha…/-Tjetër lloj a mund të gjeni ?/-Posi…ka dhe qen bir qeni !”.
Fjala vjen, qarku i Kukësit është një nga qarqet me nivel të ulët ekonomik. Por ama, ditët e fundit na del se është i pasur me qenëri të pasterilizuar (?!). Ky haber i freskët, të bën për të qeshur dhe për të vënë duart në kokë. Sidomos taksapaguesit e mjerë ! Sepse afera korruptive nuk është thjesht një filxhan kafe mbi a nën gjunjë ! Të kastrosh e të sterilizosh qentë e rrugëve në Kukës, nuk do të thotë të shkosh e të ikësh fluturimthi si era mbi Drin a mbi majën e Pikëllimës. Mbase duhet edhe shtëpi me qira ose “punë pa bela” nën sqetullat e qelbura të ndonjë pushtetari lokal ! Se të rrethosh me gjerdhe qentë, nuk është shaka. Po sikur t’u hipi në kokë “mendim-projekti” për të tredhur ose sterilizuar burrat (me përjshtim të kryetarit transparent) ? Qoftë larg, se më e pakta statistikat demografike pastaj do bëhen kockë e lëkurë, në mos copë e thërrime. Mos e dhëntë Zoti në qiell e në tokë, këtë hata të padëgjuar ! Se dell marrëzie nuk ka vetëm i marri. Dhe qelepirin e duan jo pak njerëz. Pa luajtur aspak si “qeni i kallajxhiut” që tromaks me nder tenderat e çuditshëm dhe drithëron duart e xhepat e ca zyrtarëve të përgjëruar. Zyrtarë që janë kurdoherë të gatshëm të nxjerrin dhjamë edhe “nga pleshti” dhe u bëhet “syri bakërr”. Dhe parasë së pistë i bëhen “rrëqebull” , i qepen me rrugë e marifete mafioze brenda e jashtë ligjit. Me sekserë e pa sekserë…
Mirëpo, nëpër Mallakastër, një rrëfim i mocëm është kthyer gati në anekdotë që flet shumë:“I ngordhi qeni njërit. “Unë do e varros me hoxhë” tha ai. Shkoi te hoxha e i tha: -Hoxhë efendi, dua të vish të më varrosësh qenin.
-Bah, s’e lejon feja, poshtërohet ajo !
-Do të të paguaj mirë, efendi.
-Mirë, mor bir, po më lë mua kadiu ?
-Hajt, se e rregullojmë.
-Epo mirë.
Vajti hoxha e varrosi qenin. E mori vesh kadiu. Thërret atë dhe të zotin e qenit, i thotë:
-Ke bërë krim, ke poshtëruar fenë !
-Ai s’qe qen, kadi efendi, po njeri.
-Siii ?
-Po,, pra. Kur do ngordhte, më la amanet me gojë : Dashin e mirë, një teneqe me djathë e një qyp me mjaltë t’ja çosh kadiut”.
-Ja, ramet pastë ! Paska qenë njeri me të vërtetë !…