Tiranë 18 Qershor- Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale Ogerta Manastirliu ka publikuar në rrjete sociale rastin e suksesit të mjekëve në Spitalin Universitar të Traumës që i shpëtuan jetën 55 vjeçarit më dëmtime të shumta të shkaktuara pas rënies nga një lartësi e madhe.
“Tre ndërhyrje të shkallës shumë të lartë të vështirësisë, në tru, shtyllën kurrizore dhe gjymtyrë, u realizuan me sukses nga një ekip multidisiplinar i mjekëve neurokirurgë, ortopedë dhe reanimatorë në Spitalin Universitar të Traumës, duke i shpëtuar jetën pacientit 55-vjeçar.
Ndërhyrjet u kryen me sukses, falë aftësive të mjekëve dhe materialeve mjekësore, vida titaniumi dhe aparat i vendosur në brendësi të trurit, të disponueshme në Spitalin e Traumës.
Pacienti me politrumë, pas interventeve, trajtimit post-operator dhe fizioterapisë, ka dalë nga spitali në gjendje shumë të mirë shëndetësore, pa paraliza apo pasoja te tjera.
Urime ekipit të Spitalit Universitar të Traumës, mjekët neurokirurgë, Dr. Fatos Olldashi, Dr. Geldon Fejzo, mjekët ortopedë, Dr. Viktor Marku, Dr. Drini Bardhi, Anestezist-Reanimatore Dr. Rexhina Sturçe, Flutura Balla ndihmës anestezist, Sokol Xhafaj dhe instrumentare Elsa Agalliu.”- shkruan Manastirliu.
Mjeku Neurokirurg Dr. Geldon Fejzo ka shpjeguar si aparaturat e teknologjisë të fjalës së fundit kanë ndihmuar në realizimin me sukses të ndërhyrjeve dhe monitorimin e pacientit:
“Pacienti paraqitet në Urgjencë me diagnozë politraumë, me trauma në disa pjesë të trupit, në kokë, shtyllë kurrizore, parakrahun, klavikulën dhe legenin. Në gjendje shumë të rëndë, në gjendje kome pacienti trajtohet fillimisht nga ekipi i Neurokirurgjisë për traumën karniale dhe më pas në një moment të dytë nga ekipi multidisciplinar i mjekëve neurokirurg, ortoped dhe reanimator u krye ndërhyrja për fiksimin e kolonës vertebrale, kravikulës dhe parakrahut. Në reanimacion bëhet e mundur nga ekipi I neurokirurgjisë vendosja e matjes së presionit të trurit, duke bërë të mundur trajtimin në mënyrë më optimale, gjë që solli në vazhdim daljen nga koma, shkeputjen nga aparaturati dhe fillimin e rehabilitimin me fizioterapi, në Spitalit Universitar të Traumës.”- tha Dr. Geldon Fejzo.
Home Lajme Aktualitet Rast suksesi në Spitalin Universitar të Traumës, Manastirliu vlerëson ekipin mjekësor