Pedofilët po përdorin teknologjinë e inteligjencës artificiale për të krijuar dhe shitur materiale me përmbajtje abuzimesh ndaj fëmijëve.
BBC raporton se njerëzit aksesojnë imazhet duke paguar abonime në llogaritë në faqe të ndryshme, si për shembull Patreon.
Vetë Patreon tha se ka një politikë “zero tolerance” për imazhe të tilla, ndërsa Këshilli i Shefit të Policisë Kombëtare foli me tone të ashpra për platformat “po bëjnë fitime të mëdha por nuk marrin asnjë përgjegjësi morale”.
Në përgjigje të këtij raporti shqetësues, agjencia qeveritare e inteligjencës, sigurisë dhe kibernetikës, u shpreh se“autorët e abuzimit seksual të fëmijëve përdorin të gjitha teknologjitë dhe disa besojnë se e ardhmja e materialeve me abuzime seksuale ndaj fëmijëve qëndron në përmbajtjen e krijuar nga Inteligjenca Artificiale”.
Krijuesit e imazheve të abuzimit po përdorin softuerin e IA të quajtur Stable Diffusion, që ka për qëllim të gjenerojë imazhe për përdorim në art ose dizajn grafik.
Stable Diffusion i lejon përdoruesit të kërkojnë imazhin që dëshirojnë, duke e përshkruar atë përmes një udhëzimi fjalësh. Menjëherë më pas, softueri krijon imazhin.
Por BBC ka zbuluar se softueri po përdoret për të krijuar imazhe të ngjashme me përdhunimin e fëmijëve, përfshirë foshnjat dhe të vegjëlit.
Edhe ekipet e hetimit të abuzimit të fëmijëve në internet në policinë e Mbretërisë së Bashkuar e kanë identifikuar tashmë këtë problematikë
Çfarë është Inteligjenca Artificiale dhe a është e rrezikshme?
Një “pseudo imazh” i krijuar nga një kompjuter që përshkruan abuzimin seksual të fëmijëve trajtohet njësoj si një imazh real dhe është i paligjshëm për t’u poseduar apo publikuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Fakti që nuk përdoret imazhe të vërteta fëmijësh, nuk do të thotë se nuk është i rrezikshëm.
Udhëheqësi i Këshillit Kombëtar të Shefave të Policisë për mbrojtjen e fëmijëve, Ian Critchley, theksoi se është e gabuar se “askush nuk dëmtohet nga këto përmbajtje”, pasi një pedofil që ka në mendje të abuzojë fëmijë, mund “të frymëzohet” nga këto imazhe.
Imazhet e abuzimit po shpërndahen nëpërmjet një procesi me tre faza:
-Pedofilët krijojnë imazhet duke përdorur softuerin e Inteligjencës Artificiale.
-Ata promovojnë fotografitë në platforma të tilla si web site japonez për ndarjen e fotografive “Pixiv” (ku seksualizimi i fëmijëve nuk është i jashtëligjshëm”.
-Këto llogari i drejtojnë klientët ndaj sit-eve si Patreon ku duhet të paguajnë “për të parë imazhe më të qarta”.
Teksa IA vazhdon të zhvillohet me shpejtësi, janë ngritur pyetje në lidhje me rreziqet e ardhshme që mund të sjellë për privatësinë e njerëzve, të drejtat ose sigurinë e tyre.
“Shpejtësia me të cilën këto teknologji po zgjidhen nga abuzuesit është befasuese, ndonëse kompanitë u paralajmëruan për rreziqet”, tha Anna Edmundson, nga organizata bamirëse e fëmijëve.
“Kompanitë e teknologjisë tani e dinë se si produktet e tyre po përdoren për të lehtësuar abuzimin seksual të fëmijëve dhe nuk mund të ketë më justifikime për mosveprim”, theksoi ajo.
“Ligji i Sigurisë në internet do t’u kërkojë kompanive të ndërmarrin veprime në trajtimin e të gjitha formave të abuzimit seksual të fëmijëve në internet, duke përfshirë materialet e abuzimit seksual të fëmijëve dhe imazhet e ndaluara të fëmijëve ose do të përballen me gjoba të mëdha”, tregoi një zëdhënës i qeverisë.