Aktori i mirënjohur Robert Ndrenika ka dhënë si rrallëherë një intervistë ku ka bërë një rrëfim publik për jetën e tij. Ai ka qenë i ftuar në “Zë me Mirën”, podcast nga Mira Kazhani. Mes të tjerash aktori ka treguar historinë e dashurisë me gruan e tij të ndjerë, Poliksenin. Roberti është shprehur se janë takuar kur ai ka qenë student në Tiranë,
“Këtu në Tiranë. Edhe ajo kishte bërë Liceun Artistik. Mirëpo unë nga eksperienca e familjes time, edhe nga ajo që shihja aktorë burrë e grua në një punë, që në fillim mbase ishin, po pastaj kishte edhe sherre dhe konflikte dhe nga eksperienca që mëmën e kisha arsimtare, ishte më e lehtë puna dhe ndërroi degën Polikseni, u bë arsimtare për Gjuhë-Letërsi”, ka thënë ai.
“E bëri për ju këtë sakrificë? Ia kërkuat ju apo e bëri vetë se e ndjeu, për dashurinë tuaj?”, është pyetur më tej aktori.
“Po të dyja mund të thuash. Edhe njëra, edhe tjetra. Po nuk i doli keq edhe si arsimtare, për arsyen se bëri dy vajza. U bë një familjare e mirë, kurse teatri ka qenë i vështirë, jo vetëm për atë, po ka qenë i vështirë për turnera, për familjarët ka qenë i vështirë”, është përgjigjur ai.
Roberti ka shtuar se ai dhe e ndjera Poliksen shkonin relativisht mirë: Po se s`ka burrë edhe grua që të shkojnë kaq mirë sa thua ti. Nuk besoj të ketë. Bëjnë ç`bëjnë, vitin e parë mundet, po nga viti i dytë e mbrapa fillojnë dhe sharjet, ofendimet që s`mund të thuhen këtu.