Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, një populist me prirje gjithnjë e më autoritare, do të bëjë betimin dhe të fillojë mandatin e tij të tretë presidencial të shtunën. Ai fitoi zgjedhjet me balotazh, i cili u zhvillua më 28 maj.
Rexhep Tajip Erdogan, i cili ka udhëhequr Turqinë si kryeministër apo president për 20 vjet, fitoi pavarësisht krizës ekonomike të vazhdueshme në vend dhe kritikave për reagimin e dobët të qeverisë së tij, ndaj një tërmeti në shkurt, që vrau më shumë se 50,000 njerëz. I njohur si “reis” ose “shefi” mes mbështetësve të tij, zoti Erdogan 69-vjeçar tashmë është udhëheqësi më jetëgjatë në historinë e republikës turke. Rizgjedhja e tij për një mandat pesë-vjeçar që zgjat deri në vitin 2028 e zgjeron sundimin e tij në një dekadë të tretë dhe ai ndoshta mund të shërbejë më gjatë me ndihmën e një parlamenti miqësor. Ja një vështrim në karrierën e Erdoganit dhe disa nga arsyet e jetëgjatësisë së tij politike.
Nuk është ekonomike
Shumë ekspertë pajtohen se problemet e rënda ekonomike të Turqisë rezultojnë nga politikat fiskale jotradicionale të Erdoganit – më së shumti, duke ulur normat e interesit kundër inflacionit të shfrenuar, pavarësisht paralajmërimeve të ekonomistëve. Megjithatë, shumica e votuesve – ai mori 52% të votave të balotazhit – nuk duket se u ndikuan nga ky fakt. Inflacioni në Turqi arriti në 85% në tetor përpara se të zvogëlohej në 44% në prill
Qëndrueshmëria e Erdoganit mes një krize të kostos së jetesës –– mund të ketë rezultuar nga shumë njerëz që preferojnë stabilitetin në vend të ndryshimit ndërsa përpiqen të paguajnë çmime të larta për qiranë dhe mallrat e domosdoshëm.
Presidenti ka demonstruar një aftësi për të forcuar ekonominë në të kaluarën. Dhe ai kurrë nuk i është shmangur shpenzimeve dhe vendosjes së burimeve qeveritare në avantazhin e tij politik.
Gjatë dy dekadave të fundit, qeveria e tij ka shpenzuar shumë fonde në infrastrukturë për të kënaqur votuesit. Në periudhën para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të muajit të kaluar, ai rriti pagat dhe pensionet për të zbutur goditjen e inflacionit dhe miratoi subvencione qeveritare për energjinë elektrike dhe gazit. Një pikë krenarie për shumë votues është sektori në rritje ushtarako-industrial i Turqisë. Gjatë gjithë fushatës, zoti Erdogan përmendi shpesh dronët e prodhimit vendas, avionët dhe një anije luftarake të njohur si “transportuesi i parë i dronëve” në botë.
Në skenën botërore
Erdogani ka tërhequr shumë turq në anën e tij me mënyrën se si ai vepron në skenën botërore. Mbështetësit shohin tek ai një udhëhës që ka treguar se Turqia mund të jetë një lojtar i madh në gjeopolitikë, ndërkohë që shfaq rol të pavarur teksa angazhohet me Lindjen dhe Perëndimin.
Turqia është një anëtar kyç i NATO-s për shkak të vendndodhjes së saj strategjike në udhëkryqin e Evropës dhe Azisë, dhe ajo kontrollon ushtrinë e dytë më të madhe të aleancës. Gjatë mandatit të Erdoganit, vendi ka dëshmuar të jetë një aleat i domosdoshëm dhe, nganjëherë, i mundimshëm i NATO-s. Qeveria turke ka penguar hyrjen e Suedisë në NATO dhe ka blerë sisteme ruse të mbrojtjes raketore, duke bërë që Shtetet e Bashkuara të largojnë Turqinë nga një projekt avionësh luftarak të udhëhequr nga SHBA. Megjithatë, së bashku me Kombet e Bashkuara, Turqia ndërmjetësoi një marrëveshje jetike të kohës së luftës që i lejoi Ukrainës të rifillonte dërgimin e grurit përmes Detit të Zi në pjesë të tjera të botës që po luftojnë me urinë. Rexhep Tajip Erdogan e ka përshëndetur rizgjedhjen e tij, e cila erdhi ndërsa vendi përgatitet për të shënuar njëqindvjetorin e republikës, si fillimin e “Shekullit të Turqisë”.
Kthimi në rrënjët islame
Erdogan ka kultivuar besnikëri të thellë tek mbështetësit konservatorë dhe fetarë duke ngritur vlerat islame në një vend që është udhëhequr nga sekularizmi për gati një shekull. Ai ka frenuar forcën e ushtrisë, e cila shpesh përzihej në politikën civile sa herë që vendi fillonte të devijonte nga sekularizmi. Ai hoqi rregullat që ndalonin gratë konservatore të mbanin shami në shkolla dhe zyra qeveritare. Ai gjithashtu riktheu objektin historik të Stambollit, Haxxji Sofinë në një xhami, duke përmbushur një kërkesë prej kohësh të islamistëve turq. Katedralja e epokës bizantine u krthye fillimisht një xhami pas pushtimit të Kostandinopojës, por kishte shërbyer si muze për dekada. Kohët e fundit, ai ka kritikuar të drejtat e komunitetit LGBTQ+, duke sugjeruar se ata përbëjnë një kërcënim për nocionin tradicional, konservator të asaj që përbën një familje.
Kontrolli i fortë mbi median
Gjatë dekadave të tij në pushtet, Erdogani konsolidoi kontrollin mbi mediat. Shumica e mediave turke të lajmeve tani janë në pronësi të konglomerateve besnike ndaj tij. Ai e ka përdorur pozicionin e tij për të heshtur kritikat dhe për të përçmuar opozitën. Monitoruesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve vunë re se raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale më 14 maj dhe balotazhi i 28 majit ishin të lira, por jo të drejta. Ndërsa votuesit në raundin e dytë kishin një zgjedhje midis alternativave të vërteta politike, “mbulimi i njëanshëm mediatik dhe mungesa e kushteve të barabarta i dhanë një avantazh të pajustifikuar presidentit aktual,” tha Farah Karimi, koordinator për Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Kundërshtari i Erdoganit në balotazhin e zgjedhjeve, lideri i opozitës Kemal Kiliçdaroglu, kishte premtuar të zhbënte politikat ekonomike të presidentit dhe ta kthente Turqinë në një rrugë demokratike duke i dhënë fund goditjeve ndaj fjalës së lirë.