Xhuliano Skuka është rikthyer në Tiranë pas pushimeve të marra me klubin e Metz dhe kohët e fundit është folur edhe për një rikthim të mundshëm te Partizani.
Sulmuesi dibran nuk ka arritur të gjejë minuta në Francë dhe një rikthim i mundshëm, do t’i jepte mundësinë për të bërë më mirë.
Pasi skuadra doli kampion këtë sezon, Skuka do të marrë medaljen e tij duke qenë se ka kontribuuar në këtë titull.
Në këtë mënyrë, ai ka shkuar në zyrën e presidentit Demi dhe vetë futbollisti e ka publikuar foton në profilin e tij në “Instagram”.
Trofeu dhe medalja janë në tavolinë, teksa mes sulmuesit dhe presidentit duket një marrëdhënie shumë e mirë. Tashmë, mbetet të shihet nëse do të ketë lëvizje në merkato.