Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 1-3 në transfertë me Ishujt Faroe, për raundin e tretë të grupit E kualifikues të Europianit 2024. Tanimë kuqezinjtë marrin vendin e dytë në grup, kjo pas humbjes 3-2 të Polonisë në transfertën moldave. Pas ndeshjes për mediet foli trajneri i Kombëtares, Sylvinho. Braziliani e ka cilësuar si një ndeshje të vështirë në një fushë jo të lehtë, duke thënë se fitorja e kuqezinjve në dy ndeshjet radhazi datonte para dy vitesh.
“Është e vështirë të luash këtu. Një pasim i gjatë me sulmues si ata të vendosin në vështirësi në çdo moment. Nuk ka nevojë të bëjnë shumë zotërim topi, por me një top të gjatë të hapin probleme. Egoizmi i lojtarëve? Duhet të shohim anën pozitive, fituam në transfertë 1-3. Ka qenë në 2021 ndeshja e fundit që Shqipëria fitonte 2 ndeshje radhazi. Djemtë kanë bërë shumë mirë, treguan shpirt gare. Të gjithë lojtarët kanë bërë një punë të mirë, edhe ata të stolit”, tha fillimisht braziliani.
Trajneri i Kombëtares e ka cilësuar të vështirë grupin, edhe pse tanët janë në vendin e dytë dhe një pikë më pak se Çekia.
“Shanset në grup? Janë njësoj siç ishin përpara, e rëndësishme ishte të fitonim këto dy ndeshje. Fituam edhe para 2 vitesh, dy herë radhazi. E kam thënë edhe herën e parë që është një grup i vështirë. Jemi të kënaqur për rezultatet dhe në garë për kualifikimin”, tha braziliani.
Sylvinho vlerësoi lojtarët që u futën nga stoli dhe treguan shpirt gare, teksa veçoi golin e Asllanit.
“Goli më i bukur? Të dy ishin të bukur, stafi teknik punon. Kemi bërë një punë të mirë së bashku por lojtarët bëjnë diferencën. Në aspektin taktik, goli i Asllanit ishte më i bukur por nuk mund të lë pa përmendur lojtarë si Muci, Bare, Sadiku, të gjithë që u futën në fushë dhe dhanë kontribut në këtë sukses. Kishim disa dyshime para ndeshjes. Brenda 3 ditësh të bësh 2 ndeshje nuk është e lehtë, edhe transferta është e largët këtu. Asllani bëri një ndeshje shumë të mirë por edhe Seferi. Kemi bërë zgjedhjet e duhura dhe kemi ndihmuar skuadrën si brenda edhe jashtë fushës. Të gjithë jemi të rëndësishëm në këtë rrugëtim”, vijoi Sylvinho.
Trajneri tha se nuk ka mbaruar ende punë dhe se do rikthehet në Tiranë.
“Pushimet? Unë do të rikthehem në Tiranë pasi kemi përsëri punë për të analizuar këto ndeshje. Kur të mbaroj do të shkoj në Porto për t’u bashkuar me familjen dhe pastaj në Barcelonë për të pushuar”, tha trajneri i Kombëtares.