Ilir Mamurani, një 55 vjeçar që ka qëlluar me armë zjarri në ajër është arrestuar nga Policia e Beratit. Ky shtetas, pas një konflikti që ka pasur me një 25 vjeçar, ka nxjerr pistoletën që mbante me vete dhe ka qëlluar në ajër.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në lagjen “30-vjetori” ishte qëlluar me armë zjarri në ajër, pas një konflikti midis 2 shtetasve, kanë organizuar punën për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, si dhe për arrestimin e përgjegjësve.
“Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale procedurale, është e bërë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit Ilir Mamurani, 55 vjeç, banues në Berat, i cili dyshohet se rreth orës 12:00, të datës 09.06.2023, pas një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin E. M., ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Gjithashtu, për këtë rast u arrestua edhe shtetasi E. M., 25 vjeç, banues në Berat, sepse pas konfliktit, u largua, dhe nuk dha sqarime për rastin.
Në vijim, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Sh. M., 49 vjeç (vëllai i shtetasit I. M.), pasi gjatë kontrollit në banesë, iu gjet një armë gjahu gjysmë-automatike, të cilën e posedonte pa leje.
Kjo armë gjahu u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me armën e zjarrit pistoletë me të cilën shtetasi I. M. dyshohet se qëlloi në ajër. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.