Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç takoi sot përfaqësuesit e listës serbe për të folur lidhur me situatën aktuale në Kosovë. Ata e kanë informuan presidentin serb se do të vazhdojnë protestat e tyre në veri, raporton transmetuesi publik serb, RTS.
Përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – thanë pas takimit se shkuan në Beograd për të informuar Vuçiçin lidhur me situatën “jashtëzakonisht të vështirë” jo vetëm në veri, por edhe në jug të lumit Ibër.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç tha se kishte marrë me vete dhe video ku tregonin arrestimin e Radosh Petroviç dhe Dushan Obrenoviç. Rakiç tha se këta dy persona, që janë arrestuar nga autoritetet në Kosovë, nuk kanë kërcënuar askënd, as ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Kjo parti ka kërkuar lirimin e dy serbëve të arrestuar.Ai po ashtu përsëriti kërkesat që ia ka parashtruar të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atij evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur si dhe statuti për Asociacionin duhet të miratohet nga Beogradi, Prishtina dhe BE-ja, sepse blloku evropian është garantues dhe nënshkrues i marrëveshjes.
Ndërkaq, kërkesa e tretë e Listës Serbe, sipas Rakiç është tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga ndërtesat komunale në veri të Kosovës.