Më në fund, shqiponjat rikthehen në fole, rikthehen të luajnë përballë publikut të tyre, në “Air Albania”. Moldavia në letër është një përfaqësuese modeste, por në futbollin modern një koncept i tillë është zvogëluar ndjeshëm, këtë Moldavia e vërtetoi edhe përballë Republikës Çeke, në këtë grup kualifikueses, ku arriti t’i merrte pikë. Shifrat flasin në favor të Shqipërisë, në katër përballjet ndërmjet tyre ka arritur të marrë katër fitore, 11 gola të shënuar, vetëm 2 të pësuar, por sot më shumë se kurrë kjo sfidë është jetike për projektin kuqezi, për objektivin e Kombëtares për të shkuar në “Euro2024”.

Trajneri Sylvinho dhe i gjithë stafi i Kombëtares janë të vetëdijshëm për këtë fakt, për këtë arsye kërkojnë mbështetjen maksimale nga tifozët në shkallët e stadiumit. Kjo është një sfidë ku tre pikët janë detyrim, tifozët kuqezi thërriten edhe një herë në apel, mbështetja e tyre në shkallët e stadiumit është jashtëzakonisht e rëndësishme. “News24” mëson se deri më tani, ditën e enjte, dy ditë përpara sfidës, janë shitur afro 13 mijë bileta, por interesimi po vjen në rritje.

Përballë Moldavisë, Shqipëria do të ketë fjalën e parë, pritet që djemtë e Sylvinhos të kontrollojnë lojën, të shtyjnë drejtë sulmit për të zgjidhur sa më shpejt ndeshjen, në sfida të tillë një rol shumë të madh kanë tifozët, ky është një fakt. Për fat të mirë, gjithçka po shkon sipas parashikimeve, të gjithë lojtarët janë në dispozicion, ndërsa Sylvinho prite të hedh në fushë një formacion sulmues, dëshira e madhe të tifozëve, për të parë një Shqipëri agresive në kërkim të fitores dhe lojës së bukur.