Partizani mësoi dje kundërshtarin në turin e parë kualifikues të Champions League. Të kuqtë do përballen me BATE Borisov, skuadrën bjelloruse që për shkak të sanksioneve nga UEFA i zhvillon ndeshjet si pritëse jo në shtetin e vet, por në fushë neutrale. Në 11/12 dhe 18/19 korrik, të kuqtë do kenë shansin për të kaluar më tej.

Sot në 12:00 në Nyon të Zvicrës u hodh shorti për turin e dytë kualifikues. Partizani ishte në vazon e favoritëve në këtë short, teksa “peshkoi” skuadrën e Aris Limassol. Nëse kampionët e Shqipërisë kalojnë BATE-n, atëherë “Demat” do përballen me qipriotët.

Ndeshjet e turit të dytë (vajtje-ardhje) do zhvillohen në datat 25/26 korrik dhe 1/2 gusht. Në rast se Partizani eliminohet në turin e parë të Championsit, atëherë do të luajë në turin e dytë të Conference League.

Skuadrat e tjera shqiptare kanë short të vështirë, me Strugën që nëse kalon Zalgiris do luajë me Galatasaray. Kampionët e Kosovës, Ballkani nëse kalon Ludogorets në raundin e dytë do luajë me fituesin e çiftit Olimpija Ljubjana – Valmiera.