Eric Cantona, David Beckham, Michael Oën, Di Maria dhe Cristiano Ronaldo. Këto janë disa nga lojtarët më prestigjiozë në historinë e Manchester United që kanë mbajtur veshur fanellën me numrin “7” të “Djajve të Kuq” dhe që përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme për historinë e anglezëve.

Ndaj, fanella me numrin “7” ka një domethënie speciale në Old Trafford. Pas largimit të Cristiano Ronaldos në merkaton e janarit, fanella me numrin “7” për momentin ka mbetur në sirtar. Megjithatë, drejtuesit e “Djajve të Kuq” janë gati ta rikthejnë në skenë dhe t’ia besojnë një djaloshi që në dukje është i veçantë.

Fjala është për Alejandro Garnachon, lojtari i talentuar nga Argjentina që është rritur në akademinë e klubit anglez (iu bashkua United nga Atletico Madrid në moshën 16-vjeçare) dhe që nga sezoni i kaluar bëri hapin e madh duke iu bashkuar ekipit të parë. Sezonin e fundit, numrat ishin impresionues pasi 18-vjeçari mes kompeticioneve të ndryshme, zhvilloi në total gjatë sezonit plot 37 ndeshje duke realizuar edhe gjashtë gola e gjashtë asistë.

Te United besojnë shumë tek cilësitë e Garnachos duke e konsideruar si një prej atyre që mund të shndërrohet në simbol të “Djajve të Kuq”. Në sezonin e ardhshëm pritet që për Garnachon të ketë më shumë minuta për të konfirmuar besimin ndaj tij, ndërsa drejtuesit po i përgatisin edhe dhuratën e madhe, fanellën me numrin legjendar “7”.