Presidenti rus, Vladimir Putin ka në plan që të lërë Rusinë, për të zhvilluar një takim zyrtar jashtë vendit. Ndalesa e tij është parashikuar që të jetë Turqia, pas një ftese nga presidenti Tajip Erdogan. Lajmi është konfirmuar nga Interfax, duke cituar një zyrtar të Kremlinit.

Vizita do të jetë e para e Putinit në një vend anëtar të NATO-s që kur ai urdhëroi dhjetëra mijëra trupa të pushtonin Ukrainën më 24 shkurt 2022. Putin ka udhëtuar pak jashtë Rusisë që nga fillimi i pushtimeve.

“Ka një ftesë nga presidenti i Turqisë. Putin dhe Erdogan ranë dakord që vizita do të bëhet në të ardhmen e afërt, por ne ende nuk kemi folur për data specifike ”, tha këshilltari për politikën e jashtme të Kremlinit, Yuri Ushakov , sipas agjencisë së lajmeve Interfax.

Erdogan, i cili u rizgjodh muajin e kaluar për një mandat tjetër pesëvjeçar, ka kërkuar që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë të mbajë lidhje të forta me Moskën, por edhe me Kievin.

Turqia ka refuzuar të bashkohet me aleatët e saj perëndimorë në vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, por gjithashtu ka furnizuar me armë Ukrainën dhe ka kërkuar që të respektohet sovraniteti i saj.