Vllaznia e re nis nga trajneri dhe pas largimit të maqedonasit Goce Sedloski, drejtuesit e klubit shkodran nuk kanë vendosur ende për emrin që do të marrë përsipër stolin kuqeblu për sezonin 2023-2024.
Emërimi i drejtorit të ri sportiv, Elvis Plori, ka dhënë sinjale të qarta se ky i fundit do të jetë “shefi” i merkatos kuqeblu, teksa së bashku me trajnerin e ri, kanë për detyrë të ndërtojnë skuadrën me synimin për të pretenduar titullin kampion. Koha nuk pret, pasi Vllaznia do të marrë pjesë në turin e parë të Ligës së Europës dhe gjasat janë që brenda kësaj jave, presidenti Alban Xhaferi të zyrtarizojë marrëveshjen me trajnerin e ri. Por kush pritet të jetë në krye të stolit shkodran?
“Panorama Sport” mëson se rrethi i kandidatëve është ngushtuar tashmë, pasi përveç trajnerit nga Shkupi, Adrian Nuhiu, në “skenë” kanë zbritur fuqishëm dy shkodranë shumë të njohur, që e kanë drejtuar Vllazninë, pikërisht Armando Cungu dhe Edi Martini. I pari sapo është larguar nga drejtimi i Kombëtares U-19, ndërsa i dyti mbylli sezonin në krye të Teutës. Pas ndeshjes së fundit të durrsakëve ndaj Partizanit, Martini dha sinjale lamtumire, duke falënderuar të gjithë lojtarët. Gjithsesi, mbetet për t’u parë vendimi që do të marrë Martini pas takimit me presidentin e Teutës në vijim. Burime pranë klubit shkodran tregojnë se të tre kandidatët janë në bisedime me Xhaferin, por nuk ka garanci se cila do të jetë zgjedhja në fund, pasi varet nga kërkesat që do të kenë palët. “Panorama Sport” zbulon se kërkesat financiare të Nuhiut kanë qenë të larta, por asgjë nuk është mbyllur dhe ai mbetet një kandidat potencial për stolin.
TË TJERËT – Trajneri që mbylli sezonin me Kastriotin, Emiljano Çela, ka pasur një takim me një nga drejtuesit e klubit shkodran së fundmi. Palët nuk kanë gjetur ende një emërues të përbashkët, pasi Çela ka vendosur një kusht për ndihmësit që do të ketë. Nga ana tjetër, ka pasur edhe zëra për një rikthim të mundshëm të Tomas Brdariç, por palët janë larg për shkak të kërkesave të larta të gjermanit.