Një nga lojtarët që po la kohet më së shumti në këtë merkato të verës është ai i ish-mesfushorit të Kukësit, Gjelbrim Taipi. Ai mësohet se është në bisedime me drejtuesit kuqeblu dhe nëse do të arrihet një marrëveshje ai do të jetë një nga afrimet më cilësore të merkatos shkodrane në këtë sezon. Lojtari do të ndërlidhte në mënyrën më të mirë të mundshme repartet, duke qenë edhe një garanci më shumë për Vllazninë e sezonit të ri. Taipi shihet si mundësi mjaft e mirë për mesfushën kuqeblu dhe për më tepër pas gjithë atij eksodi nga kuqeblutë.

Vllaznia në këto momente është një kantier ndërtimi për sa i përket formatimit të skuadrës për sezonin e ri. Lëvizjet kanë qenë të shumta në kampin shkodran në këto javë, ku ka pasur shumë largime e po ashtu disa afrime. Nga ekipi janë larguar disa futbollistë me peshë në sezonet e fundit, duke afruar të tjerë që do të përpiqen të japin më të mirën për kuqeblutë. Por duket se repartet e kuqebluve po plotësohen e sidomos ai i prapavijës. Afrimet e Dragoshit, Stojanoviç dhe Çeshmedjiev duket se e kanë krijuar një garanci në këtë repart. Megjithatë, nuk mund të përjashtohet edhe afrimi i një mbrojtësi tjetër, ku në ditët e fundit ka qarkulluar shumë emri i Egzon Belicës. Por mesa duket, afrimet janë të vogla, nisur me largimet nga kjo skuadër.

Vllaznia ka ende punë për të kompletuar gjithë skuadrën, ku largimi i Zogoviçit duket se e bën të domosdosëëm kërkimin e një tjetër portieri. E po ashtu në mesfushë kërkohet një mesfushor, që mund të bëjë diferencën. Për repartin e mesfushës po pritet ende edhe përgjigjja e Fjoart Jonuzit nëse do ta vijojë bashkëpunimin apo jo me Vllazninë. Maja e sulmit aktualisht përfaqësohet vetëm nga Bekim Balaj, ku shtatlarti momentalisht është i vetëm. Teksa më parë janë afruar edhe Ildi Gruda, Eslit Salae, maqedonasi Darko Dodev.

Por më të shumtë në numër kanë qenë të larguarit. Ata fillojnë që nga porta. Është larguar së fundmi edhe Bojan Zogoviç, i cili iu bashkua Kaina Nunjeshit, Dajan Shehit, Darko Bulatoviçit, Liridon Latifit, Arsid Krujës, Erdenis Gurishtës, Herald Markut. Por ndoshta nuk do të jetë i fundit, pasi këtyre mund t’u shtohet Kristian Vulaj, Fjoard Jonuzi e Helvedin Heriç. Mesa shihet Vllaznia po formatohet nga fillimi, paçka se nisur nga numrat dhe çfarë përflitet për sa u përket afrimeve Vllaznia mund të jetë deficitare në këtë merkato./Panorama Sport