Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e pati shumë më të vështirë bisedën me gazetaren e CNN ku ai ishte ftuar të folur rreth tensioneve në veri të Kosovës.

Gazetarja në disa momente e pyet presidentin serb nëse e njeh Kosovën si shtet të pavarur e sovran por Vuçiç shpeshherë ndërroi temë dhe ngatërrohet. Ajo ia rikujtoi presidentit serb se është fakt që Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës, prandaj e pyet çfarë do të bëjë Serbia?

“Nuk e dëgjova pyetjen tuaj të fundit, më vjen keq!”

“Pyetja ime është se a e njihni Kosovën shtet të pavarur dhe sovran?”

Ne njohim kartën e OKB-së dhe Rezolutën e OKB-së, por ne jemi gjithmonë gati të diskutojmë të gjitha zgjidhjet e kompromisit dhe gjithmonë kemi qenë gati për këtë dhe gjithmonë do të jemi. Ju përmendet le të themi presidentin Putin dhe mund t’ju them se kam dëgjuar edhe median tuaj dhe mediat e tjera se Serbia, nën direktivat e Rusisë do të sulmojë këtë apo atë shtet apo etnitet. Kjo sigurisht nuk ka ndodhur.”

Por gazetarja nuk e pyeti për Putinin dhe e ndërpret.

“Askush nuk e përmendi as Rusinë e as Putinin në lidhje me tensionet.” I gjetur në siklet, Vuçiç shprehet se pyetjen e kishte kuptuar gabim.

Vuçiç ndër të tjera deklaroi se Serbia është shumë e kënaqur në lidhje me reagimet e fundit të bëra nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken edhe nga presidenti i Francës, Macron që fajësuan Albin Kurtin për nxitjen e tensioneve në veri. Ai u shpreh gjithashtu se detyrimet e Serbisë që rrjedhin nga marrëveshjet e nënshkruara janë përmbushur 100% në përputhje me Rezolutën 12/44 e OKB-së.

I pyetur se si mund të bëhet çtensionimi i situatës, Vuçiç u shpreh se serbët do të vijojnë protestat paqësore dhe do të bëjnë gjithçka për ta stabilizuar situatën e cila sipas tij është destabilizuar nga regjimi i Prishtinës.