Pas një sezoni me një rol të parëndësishëm (me vetëm 10 paraqitje), Paul Pogba mund të largohet nga Juventusi për herë të dytë në karrierën e tij.

Dje, francezi u kthye në Torino pas një udhëtimi në Jeddah për arsye personale, por, me sa duket, edhe profesionale.
Mesfushori, siç publikohet nga “La Gazzetta dello Sport”, ka nisur të kontaktojë me atë që mund të jetë shtëpia e tij e re. Al Ahli është gati të vendosë në tavolinë ofertën e parefuzueshme: 100 milionë euro neto për tri vitet e ardhshme.

Rafaela Pimenta, përfaqësuesja ligjore e francezit, ka marrë tashmë propozimin, por klubi kërkon të ketë garanci për gjendjen fizike të lojtarit, që sezonin e kaluar luajti vetëm 161 minuta.
Një vit më parë, Pogba nënshkroi kontratë katërvjeçare me një pagë rreth 8 milionë neto me “Zonjën e Vjetër”, që për ta lënë të lirë kërkon të arkëtojë ta paktën 10 milionë euro, raporton Supersport.
Aq më tepër që klubi bardhezi do të lirohej edhe nga paga e lartë që përfiton mesfushori.