Marrëdhënia e tij me Shqipërinë daton 24 vite më parë, kur ishte fotografi i një gazete daneze dhe i duhej të mbulonte krizën e refugjatëve kosovarë. Shumëçka ka ndodhur në vazhdën e kohës, ndonëse dëshira për të studiuar qeniet njerëzore ka mbetur e njëjta. Edhe nevoja për të treguar histori nga e gjithë bota, po e njëjta.
Jacob Carlsen vijon të jetë fotograf, por tashmë njihet si freelancer, e po ashtu është kthyer edhe në regjisor të njohur filmash. Liria për Jacob, nuk ka çmim. Mjafton të përmendësh projektin e tij më të rëndësishëm për diskriminimin e kastës në Azi, që jo për çudi rezulton i vlerësuar me çmime të shumta ndërkombëtare.
Jacob është nga Danimarka, nga ai vend i largët që shquhet në kinematografi për realizëm, tema fetare e morale, qasje seksuale dhe inovacion teknik.
Pikërisht nga një shtet që i ka ushqyer dashurinë për çiklizëm, por jo atë për qytetet e mëdha. Jacob e përshkruan Kopenhagën si qytetin e një milion biçikletave dhe atë të korsive të pafundme…
Të thuash se ka përshkuar shumë rrugë me biçikletë për të ardhur në Tiranë, do të ishte një gënjeshtër. Sepse ka përshkuar ekzaktësisht 938 kilometra, 10336 metra ngjitje, në plot pesë ditë; ka njohur peizazhet piktoreske të Bosnje & Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi. Për të, edhe Tirana futet te qytetet e mëdha…Por duket se arsyeja e fshehur pas çdo pedalimi, është edicioni i II i Travel Fest Albania.
Moti i zymtë dhe rebel në rrugët kilometrike të rajonit, nuk iu bë pengesë për të shijuar punën e tij në ekranin e Amfiteatrit të Tiranës, si edhe atë të kolegëve – mbledhur nga anembanë bota në Tiranë, Durrës dhe Gjirokastër, në vendet ku TFA do të zhvillohet deri më datë 7 korrik.
Jacob ka sërish rrugë për të bërë drejt jugut të Shqipërisë dhe sërish do të pedalojë, sërish do të eksplorojë, ndonëse kësaj radhe copëza kulturore dhe historike të Shqipërisë. Së bashku me autorët pjesëmarrës në TFA, jo vetëm. Megjithatë, ai pohon se eksplorimi për të ka nisur prej momentit të parë kur ka shkelur në vend. Duke përshkuar dhe parë fshatra të vegjël drejt Tiranës, si dhe duke ngritur gjatës natën së fundit në rrugë një çadër në një fushë më bar, për t’u larguar më pas në orën 05:00 të mëngjesit, që fermeri i tokës të mos trembej prej tij.
Kur e pyet se çfarë e nxiti në të vërtetë pjesëmarrjen e tij në Travel Fest Albania, fituesi i 17 çmimeve për filma dhe autori i 7 ekspozitave fotografike përgjigjet kështu: “Pashë një mundësi të shkëlqyer për të kombinuar një aventurë të radhës me biçikletë, me shfaqjen e filmit tim “Don’t Scratch” në TFA. Për të qenë i sinqertë, përpos kësaj, gjithmonë kam qenë kurioz për të ditur se si do të ishte natyra e një festivali filmi në Shqipëri.”
Jacob vjen në edicionin e II të Travel Fest Albania me filmin “Don’t scratch”, që hedh një vështrim nga afër të aventurës së tij 1,805 kilometrike në Garën Malore të Rrugës së Mëndafshit (SMR) në Kirgistan. Brenda 44 minutave, është vetë Jacobi që e orienton audiencën drejt adrenalinës, rrezikut dhe ndjesive të ngjashme e të forta.
Liria të dhuron karakter modest, për këtë nuk ka dyshim. Pyetjes se çfarë pret nga pjesëmarrja në Travel Fest Albania, Jacob i përgjigjet me çiltërsi të pashoq. “Pres të argëtohem plotësisht dhe të befasohem për pozitivisht në ditët e festivalit”, – shprehet ai.
Ndërsa kur interesohemi për personin që do të donte t’i kushtonte një çmim të mundshëm, Jacob nuk mendohet dy herë: “Ia dedikoj gruas sime e cila e kupton dhe e pranon plotësisht, dhe nuk ndalet së më inkurajuari për orë të gjata stërvitjeje me bicikletë, për aventura të shpeshta jashtë Danimarkës.”
Shënim: Festivali i Filmit dhe i Fotografisë ka nisur më 3 korrik dhe do të zgjasë deri më 7 korrik. 112 filma nga 50 autorë të huaj, kanë nisur të shfaqen në Tiranë, Durrës dhe Gjirokastër. Këta autorë premtojnë jo vetëm produksione cilësore, por përjetime jetësore dhe eksperienca për të cilat ia vlen të flitet. Jacob Carslen është vetëm një prej tyre.