Pasi e shenjëstroi nëntë muaj më parë për inceneratorin e Elbasanit, për Arben Ahmetaj SPAK deklaron se ka mbledhur prova që tregojnë se ish ministri i Financave në gjashtë raste ka kryer korrupsion.
Shembulli më korruptiv dhe flagrant lidhet me gjurmët e mbetura në kompjuterin e Klodian Zotos, një i kërkuar dhe i akuzuar për inceneratorët i cili dyshohet se i pagoi udhëtime në disa shtete, atij dhe bashkëshortes. Pesë rastet e tjera të korrupsionit mbahen sekret nga SPAK pasi ka edhe persona të tjerë nën hetim.
Në letër-porositë e ndërkombëtarëve por edhe llogaritë bankare SPAK thotë se nga udhëtimet , Arben Ahmetaj përfitoi 34 mijë euro.
Kjo ishte gjurma e parë që u bë shkak që SPAK ta veçonte Ahmetaj në atë kohë numri dy i qeverisë nga dosja 277 thënë ndryshe inceneratori i Elbasanit, duke e ndarë në fraksion më vete
Por Arben Ahmetaj dyshohet nga SPAK për veprime të dyshimta për të tre inceneratorët.
Akuza tjetër lidhet me fshehjen e pasurisë , dhe hetimi bazohet në sekuestrimin preventiv ndaj dy vilave , njëra në Palasë dhe tjetra në Hamallaj. Prokurorët thonë jo zyrtarisht se kanë mbledhur fatura dhe kanë pyetur disa biznesmenë në fushën e arrestimit, të cilët bëhet me dije se kanë treguar emrin e ish funksionarit. Akuza e tretë për të cilën kërkohet lënia e mandatit të deputetit gjë e cila do të sillte masë sigurie në gjykatën e posaçme, lidhet me një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave në bashkëpunim, të fituara sipas SPAK nga korrupsioni.
Nëse Këshilli i mandateve i jep dritën jeshile SPAK, një tjetër prokuror i SPAK pritet të kërkojë masë sigurie ndaj ish ministrit, dhe bëhet fjalë për dosjen e ish fabrikës së bukës, për të cilën Arben Ahmetaj u pyet pak ditë më parë.