Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës e kanë vënë si parakusht heqjen e masave sanksionuese të BE-së para se të mbahen zgjedhjet e reja në veri, sipas dakordimit të arritur mes kryenegociatorit Besnik Bislimi e emisarit Miroslav Lajçak. Në zyrën e BE-së nuk kanë ofruar sqarime lidhur me kërkesën e qeverisë. E njohës të zhvillimeve thonë se BE-ja do t’i përdorë masat si levë presioni për t’u siguruar se Kosova do ta shtensionojë situatën në veri, në mënyrë të pakthyeshme.
Mungesa e vendimmarrjes nga ana e Bashkimit Evropian për t’ia hequr masat sanksionuese Kosovës, po shihet si levë presioni për t’u siguruar se nuk do të ketë tensione të tjera në veri. Derisa nga Bashkimi Evropian nuk kanë treguar nëse janë duke i shqyrtuar mundësitë për heqjen e masave pas veprimeve të Kosovës për shtensionim, zyrtarë të qeverisë kanë thënë të hënën se nuk do të ketë zgjedhje në veri përderisa ato të jenë në fuqi.
Gjatë një takimi me gazetarë të hënën, Bislimi ka thënë se janë në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e sanksioneve pas pajtueshmërisë së arritur në Bratislavë. Qeveria ishte pajtuar që krahas largimit të njësive speciale në masën prej 25 për qind nga objektet komunale, në katër komunat veriore të organizohen zgjedhjet e reja pas verës. E shefi i Bislimit në qeveri, kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për mediumin kroat “Veçernji List” i ka quajtur të padrejta masat e BE-së ndaj Kosovës.
Në zyrën e përfaqësuesit të lartë të BE-së, përmes një përgjigjeje automatike, kanë treguar se “institucionet e BE-së janë në pushime verore”. Pavarësisht insistimit të Qeverisë për heqjen e masave, njohës të zhvillimeve nuk presin lëvizje të shpejtë nga ana e BE-së.
“Unë besoj se ato do të ngelin në fuqi deri kur BE-ja vlerëson se Kosova ka marrë hapa të pakthyeshëm në normalizimin e dialogut dhe deeskalimin e situatës në veri. Vetëm fillimi i ndërmarrjes së hapave nuk do t’i mjaftojë Bashkimit Evropian për të hequr masat e vendosura. Kjo është arsyeja e parë që unë besoj se masat mbesin në fuqi. Arsyeja e dytë ka të bëjë me atë se masat janë efektivisht të padëmshme. Pra bëhet fjalë për pezullim të fondeve, jo anulim të tyre. Rrjedhimisht, BE-ja do t’i lërë këto masa në fuqi, pasi që nuk sheh ndonjë dëm të pariparueshëm për Kosovën dhe njëkohësisht, siç thashë dëshiron që një levë e presionit t’i ngelet në dorë për t’u siguruar se Kosova do ta deeskalojë situatën në veri në mënyrë të pakthyeshme”, ka deklaruar Demush Shasha nga Instituti EPIK.
Sanksionet e BE-së përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së komisioneve të përbashkëta në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit e mosdërgimin e ftesave zyrtarëve të Kosovës për takime të nivelit të lartë. Po ashtu, janë suspenduar vizitat bilaterale, me përjashtim të atyre që kanë për qëllim adresimin e krizës në veri të Kosovës.