Stafi drejtues, por mbi të gjitha ai teknik me në krye trajnerin Massimiliano Allegri vendosën. Leonardo Bonucci nuk do të jetë pjesë e Juventusit të sezonit të ri, edhe pse mbrojtësi deklaroi se për të ishte viti i fundit në karrierë dhe do të dëshironte ta kalonte me ngjyrat bardhezi. Tashmë, 36-vjeçarit do t’i duhet të mendojë për një tjetër destinacion teksa mediat italiane shprehen se Bonucci ka nisur nga puna për të gjetur ekipin e ri.
Sipas mediave përtej Adriatikut, mbrojtësi është në pritje të një oferte nga Lazio teksa dëshiron të bashkohet me trajnerin Maurizio Sarri me të cilin bashkëpunoi edhe te Juventus. Sarri dhe Bonucci kanë pasur një marrëdhënie të ngushtë nga eksperienca në Torino dhe tashmë ish-kapiteni i Juventus po pret një lëvizje nga presidenti i bardhekaltërve, Claudio Lotito.
Në fakt, Bonucci ka edhe një tjetër opsion që lidhet me Andrea Pirlon. Ky i fundit ka nisur një aventurë te Sampdoria dhe e kërkon mbrojtësin tek dorianët në Serie B, por lojtarin e pengon objektivi që karrierën e tij ta mbyllë në elitë dhe bashkimi me Pirlon është vetëm opsioni i fundit në listë.