Ish-drejtori sportiv i Romës, Gianluca Petrachi ka folur për Kristjan Asllanin dhe të ardhmen e tij te Interi. Për të, shqiptari është zëvendësuesi ideal për të larguarin Brozovic, me “sms” që duket se është për trajnerin Simone Inzaghi. Sa i takon afrimit të Frattesit, ai e cilëson me të ardhme.

“Frattesi është një mesfushor i zoti, bashkë me Barellën prezantojnë futbollin e bukur të Italisë. Janë lojtarë të cilët çdo trajnerë i pranon me kënaqësi në organikë, bëhet fjalë për një futbollist të brezit të ri”, tha ish-drejtori.
Më pas Petrachi e ka cilësuar Asllanin si lojtarin e duhur për të marrë frenat e mesit të fushës te Interi.

“Frattesi është nga ata lojtarë që bën punë në të dyja fazat e lojës, por kush thotë që është blerë për të zëvendësuar Brozovic gabon rëndë dhe nuk merr vesh nga futbolli. Janë dy lojtarë të ndryshëm dhe zëvendësuesi i Brozovic te Inter është Asllani. Ai e bën shumë mirë atë rol sepse është një lojtar me shumë kualitet”, u shpreh Petrachi.