Çështja “Herri Kejn” ka hyrë në fazën e saj më të nxehtë, teksa pas dy refuzimeve të para prej 70 dhe 80 milionë eurosh, Bajerni i Mynihut nga pasditja e djeshme ka vendosur që të tentojë goditjen finale dhe këtë gjë ka kërkuar që ta bëjë më seriozisht sesa kurrë.

Kështu që siç raporton media gjermane, nga Mynihu, mbrëmjen e djeshme është nisur një çarter privat me në bord 7 emisarë të klubit bavarez, të cilët pasi të zbarkojnë në Londër, ditën e sotme do të kërkojnë një takim kokë më kokë me presidentin e Totenhemit, Daniel Levi, ndoshta personi më i vështirë për të ngritur në këmbë një tratativë, kur bëhet fjalë për yjet e skuadrës së tij.

Por faktet flasin qartë dhe arsyeja këtë herë është ndër më të fortat për të dëgjuar, pasi Bajerni i Mynihut është Herri Kejn dhe Herri Kejn kërkon me çdo kusht Bajernin e Mynihut.

Nëse sulmuesi anglez dhe rekordmeni i golave i të gjitha kohërave në radhët e “Spurs”-ave e ka gjetur tashmë akordin financiar me kampionët e Bundesligës, këta të fundit duhet të bindin njeriun që ka në pronësi kartonin e anglezit, për të lëshuar përfundimisht.

Sigurisht, Daniel Levi nuk mund ta burgosë gjithë jetën Herri Kejnin, por kërkesa e tij është 120 milionë euro, për të hedhur firmën në kontratën që e liron Kejnin nga detyrimet me Totenhemin.

Deri në këtë shifër Bajerni nuk mund të ngrihet, duke qenë se ka bilance për të ruajtur dhe ato nuk i sakrifikon asgjë një. Por hapi i radhës i hedhur nga gjermanët është ai i paraqitjes së një oferte të tretë dhe finale, prej 100 milionë eurosh.

Kjo është shifra mbi të cilën bavarezët nuk mund të rriten me asnjë qindarkë dhe ndoshta Levi po nis të lëkundet duke parë edhe dëshirën e lojtarit për të ndërruar ambient. Madje, Herri Kejn e kërkon me aq ngulm Bajernin, sa ai refuzoi pa asnjë mëdyshje një ofertë prej 110 milionë eurosh, plus 20 milionë të tjera në formë bonusesh, të cilës Totenhemi i pat thënë po fundjavën që lamë pas, por gjithçka u hodh në erë nga 29-vjeçari.

Në këtë pikë, drejtuesit e klubit londinez ndoshta duhet të dorëzohen, sepse përveç medias gjermane në kor, “Daily Mail” saktëson se Herri Kejn, përveç akordit paraprak financiare, ka edhe një pakt me Bajernin e Mynihut për verën e ardhshme, nëse nuk gjendet marrëveshja këtë verë, për t’u transferuar me parametër zero në “Allianz Arena”.

Kështu që edhe për Levin ndoshta do të ishte më mirë që të pranonte ditën e sotme apo në vazhdim 100 milionë eurot e Bajernit të Mynihut dhe t’i jepte fund kësaj telenovele merkatoje, e cila mund të ndikojë për keq edhe për pjesën tjetër të skuadrës.