Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, së bashku me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, zhvilluan një vizitë në Pustec. Të dy presidentët të shoqëruar nga Zonjat e Para dhe nga autoritetet e Bashkisë së Pustecit dhe të Qarkut të Korçës zhvilluan një sërë aktivitetesh.
Gjatë qëndrimit në Pustec, presidentët patën edhe një takim dypalësh, të fokusuar në marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve. Në përfundim të takimit, Presidenti Begaj në një prononcim për mediat u shpreh se “jo pa qëllim zgjodhëm Bashkinë e Pustecit për të treguar që marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë marrëdhënie të dy vendeve mike, të dy vendeve partnere të NATO-s, vende të cilat kanë një rrugëtim të përbashkët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”.
“Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe minoriteti maqedonas në Bashkinë e Pustecit, janë të rëndësishëm në marrëdhënien midis dy vendeve. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë shumë mirë të integruar, kanë kontribut në shtetformimin e Maqedonisë së Veriut, dhe padyshim janë aktivë në jetën politike dhe ekonomike”, tha Begaj.
Sipas Presidentit Begaj, sfidat midis dy vendeve janë të mëdha, ndaj ato duhet të përballohen së bashku. Për Kreun e Shtetit, kjo vizitë do të shërbejë për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
I pyetur për Ballkanin e Hapur, Presidenti Begaj tha: “Pa dyshim si çdo iniciativë tjetër rajonale janë të mira. Vendimmarrësit ekzekutivë politikë e mendojnë për vazhdimin e një iniciative ose jo”.