Aventura e Harry Kane te Tottenham Hotspur është në ditët e fundit, kjo pritet të jetë vera e fundit e kapitenit të “Tre Luanëve” në Londër. “Bomberi” anglez është bindur më në fund, është i vendosur për tu larguar nga “gjelat” teksa ka gjetur akordin total me Bayern Munich. Drejtuesit e klubit gjerman me “Po” në dorë nga ana e Kane vijojnë negociatat me Tottenham për të blerë kartonin e sulmuesit. Oferta e parë prej 60 milionë paund as që u morë në konsideratë, por Bayern do të paraqitet këto ditë me ofertën e dytë, 80 milionë paund, plus bonuse, një ofertë e cila pritet të “zbus” presidentit Daniel Levy.

Tottenham kërkon 114 milionë euro për Harry Kane, por nuk janë në pozita të favorshme pasi sulmuesit i përfundon kontrata në 2024. Kjo pritet të jetë një negociate e cila do të zgjas dhe pak, por në fund parashikohet “tym i bardhë”, Thomas Tuchel do të ketë në dispozicion sulmuesin që aq shumë dëshiron. Me afrimin e Harry Kane, nga Mynihu pritet të largohet Sadio Mane.

Senegalezi mbylli një sezon jo pozitiv, vetëm 7 gola, ndërsa raporti i tij me dhomat e zhveshjes, me lojtarët e tjerë të Bayern, mbetet i tensionuar. Këto detaje shtyjnë Bayern të nxjerr në shitje lojtarin që një vit më parë i kushtoi 30 milionë euro. Për Mane ka oferta konkrete nga Arabia Saudite. Kjo pritet të jetë një verë e nxehtë në Mynih pasi Bayern kërkon jo vetëm Harry Kane nga Premier League, por së fundmi janë futur në garë për të siguruar edhe shërbimet e Kai Walker.

Anësori anglez është i paqartë në lidhje me të ardhmen, të rinovojë kontratën me Man.City apo të largohet. Bayern është gati të thyej rregullat e klubit për Walker, pavarësisht se është 33 vjeç janë të gatshëm t’i ofrojnë një kontratë 2-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit (Bayern nuk ofron më shumë se 1 vit kontratë për lojtarët që janë mbi 30 vjeç). 15 milionë paund do të shkojnë për Man.City për të siguruar kartonin e Kai Walker.