Ish kryeministri Sali Berisha, u shfaq paraditen e sotme në një konferencë për shtyp, për të prezantuar një raport, lidhur me shpalljen non-grata nga Mbretëria e Bashkuar.
Berisha deklaroi se provat e paraqitura nga Home Office vijnë nga burime jo të besueshme, si kundështarët e tij politikë dhe disa media. Sipas Berishës këto media janë BIRN, Reporter.al dhe Balkan Insight.
Ai deklaroi se këto media janë të financuara nga George Soros, ndaj nuk janë të besueshme për artikujt që kanë publikuar për të dhe fëmijët e tij.
“Burimet që Home Office citon për akuzat ndaj meje për rastet e korrupsionit vijnë së pari nga mashtrime të rrjetit BIRN/Balkan Insight/ Reporter.al, i cili në Shqipëri funksionon si një ent i vetëm, i sponsorizuar nga Soros dhe i shërben agjendës së tij në këtë vend“, thuhet në raportin e Berishës.
Megjithatë, në të shkuarën, Sali Berisha e ka cituar BIRN dhe Reporter.al në dhjetëra raste, madje duke i publikuar shkrimet në faqen e tij personale në Facebook. Po kështu, Partia Demokratike i ka cituar rregullisht këto media, sa herë publikoheshin artikuj dhe investigime për korrupsionin e qeverisë, duke përgëzuar gazetarët, çka tregon se PD dhe Berisha i kanë vlerësuar si media që publikojnë artikuj dhe fakte në interes të opinionit publik.
Rasti i fundit ishte një shkrim i gazetares Ola Xama në BIRN, ku flitej për rolin e kryebashkiakut Erion Veliaj (të cilin Berisha e akuzon për lidhje të forta me Soros) në projektin e inceneratorit të Tiranës. Edhe në këtë rast, puna e gazetares, e publikuar në BIRN, u lavdërua nga Berisha duke u quajtur një “gazetare e guximshme” që ka denoncuar “abuzimin me pushtetin” të Erion Veliajt, madje Berisha u solidarizua me gazetaren pas mesazheve intimiduese që ajo kishte marrë nga kryebashkiaku.
Me sa duket, për ish kryeministrin, BIRN bën punë të lavdërueshme kur publikon artikuj për qeverinë e Edi Ramës, por është e kapur dhe kontrolluar nga George Soros, kur artikujt kanë lidhje me të dhe familjarët e tij.
Disa nga rastet kur Berisha ka cituar dhe publikuar shkrimet e BIRN, që sipas tij zbaton “agjendën e Soros”.