Tensionet në rajon kanë qenë në mesin e çështjeve që presidenti i SHBA-së dhe kryeministrja e Italisë kanë trajtuar në një takim mes tyre. Presidenti Joe Biden e kryeministrja Giorgia Meloni u zotuan që të përforcojnë koordinimin “për të favorizuar shtensionimin dhe pajtimin” në Ballkanin Perëndimor. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka mirëpritur angazhimin e ndërkombëtarëve për shtensionimin e situatës në Kosovë.
Qëndrimi i Bidenit është përcjellë pas takimit që ai ka zhvilluar me kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni.Në një deklaratë të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë thuhet se në takim është riafirmuar angazhimi i SHBA-së dhe Italisë për sigurinë e stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
“Shtetet e Bashkuara dhe Italia riafirmojnë angazhimin e tyre të përbashkët për sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e tyre të gjatë për integrimin euroatlantik të rajonit. Ata vendosën të përforcojnë koordinimin për të favorizuar shtensionimin dhe pajtimin dhe pranuan rolin vendimtar të QUINT-it”, thuhet në deklaratë. “Shtetet e Bashkuara mirëpresin angazhimin e Qeverisë italiane në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë kontributin e forcave të armatosura italiane në misionet e KFOR-it, EULEX-it dhe EUFOR-it Althea”.
Kosova dhe Bashkimi Evropian, në mes të muajit korrik kanë arritur dakordimin lidhur me hapat që duhen ndërmarrë në funksion të shtensionimit të situatës në veri.
Në mesin e tyre është edhe zotimi për mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore.
Por, derisa autoritetet kosovare insistojnë që ato duhet të iniciohen nga vetë serbët përmes organizimit të një peticioni për largimin e kryetarëve aktualë, në BE si formë më të shpejtë e shohin dorëheqjen e kryetarëve.
“Bashkimi Evropian pret që palët të zbatojnë kërkesat e BE-së, siç është bërë e ditur në deklaratën e 27 shteteve anëtare më 3 qershor 2023. Kjo përcakton qartë se zgjedhjet e hershme duhet të shpallen sa më shpejt dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse në të katër komunat me shumicë serbe në veri”, thuhet në një përgjigje që BE-ja ia ka dhënë KOHËS. “Dorëheqjet e kryetarëve të komunave janë mënyra më e shpejtë për të nxitur zgjedhje të parakohshme, ndërkohë që të dyja palët duhet të tregojnë konstruktivitet në realizimin e zgjedhjeve”.
Në përgjigjen e BE-së shprehen pritjet për angazhim të serbëve në procesin zgjedhor, si shenjë e synimit të tyre për kthim në institucionet e Kosovës.
Me gjithë dakordimin për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat në veri pas verës, përfaqësuesit shtetërorë kanë shprehur qëndrimin se mbajtja e tyre duhet të paraprihet nga heqja e masave ndëshkuese që Kosovës ia ka vendosur BE-ja.