Nga Ylli Pata/
Zgjedhja për herë të tretë e Lulzim Bashës në krye të PD-së, me gjasë do të ironizohet në opinion me frazën e famshme që e përdorin italianët: “Che novita”! Përveç bluzës së Zelenskit ngjyrë kaki, e xhinseve të lira, duke braktisur kostumin e hekurosur e flokët e llakosura, Basha është po ai si personazh politik në vend.
Në këtë aspekt, pra atë nominal nuk ka një risi. Lulzim Basha do të jetë sërish kryetar i Partisë Demokratike. E megjithatë, ka në terren një risi jo të vogël, madje ndryshim rrënjësor.
Së pari, Lulzim Basha, erdhi në skenën politike shqiptare si i preferuar i Sali Berishës, e ma pas si një delfin i tij. Në vitin 2011, Lulzim Basha kapi majat e politikës shqiptare, duke u bërë kryetar i bashkisë së Tiranës, edhe si pasojë e një aleancë me Ilir Metën. Madje në atë kohë, Lulzim Basha ishte njeriu në PD që kishte marrëdhënie më të ngushta me atëherë kreun e LSI-së.
Si i tillë, në vitin 2013, Lulzim Basha ka ardhur në krye të PD-së pasi ishte i preferuari i Ilir Metës edhe Sali Berishës. Rivali i tij Sokol Olldashi, nuk ishte i preferuari i Berishës, por ishte kritik shumë i hidhur ndaj Metës, në atë kohë në kulmin e pushtetit, ku mbante postin numër dy të shtetit shqiptar.
Katër vjet pas zgjedhjes së tij të parë, Lulzim Basha nisi luftën me Ilir Metën. Është politikani i arë i nivelit të lartë që e ka quajtur LSI-në e Ilir Metës SHPK-dyqan, e që e morën edhe të tjerë pastaj.
Në fushatën e vitit 2017, Basha goditi një nga dinosaurit politikë, pasi çoi opozitën në Parlament të votojë reformën në drejtësi që u mbështet nga amerikanët e europianët. Edhe pse me probleme e kundërshtime të mëdha që i shkaktuan probleme me ndërkombëtarët, sot Lulzim Basha është një politikan i bindur se reforma në drejtësi është një zhvillim bazik për vendin.
Më pas, kur Meta u zgjodh President i Republikës, Basha pati mjaft afrime me të, madje e mbrojti fort kur mazhoranca e sulmoi. U bë partner me të në vitin 2019, duke rrezikuar ndoshta bllokimin më të frikshëm të shtetit, e që mund ta kishte çuar Shqipërinë në nivelin e Bosnjës, e cila nga trazirat institucionale nuk i afrohet BE.
Në vitin 2021, Lulzim Basha, arriti të marrë një rezultat elektoral të rëndësishëm si lider i opozitës, duke mos arritur të fitonte. Dy muaj më pas, SHBA ndëshkon Sali Berishën, e Bashës i duhej të zgjidhte. Ai zgjodhi të priste nyjen gordiane, duke vrarë babain e tij politik.
Një gjest që e ka bërë lider, por e largoi nga drejtimi i PD-së, si pasojë e një agresioni të madh nga ithtarët e Sali Berishës, por edhe enturazhi i tij i hapur, i fshehtë, në hije, të kamufluar pranë tij, si dhe agresioni i fortë i Metës dhe njerëzve të tij. Madje sulmin më të madh kur përjashtoi Berishën e pati nga partia e Metës që e quajti Bashën “Judë”. Pra që ka tradhëtuar “mësuesin” e tij, e që meriton dënimin më të rëndë.
Gjithsesi, Sali Berisha ndërmorri “luftën civile” brenda partisë që e kishte drejtuar për 30 vjet, me rrezik edhe ta shkrinte komplet, vetëm që të rimerrte kontrollin e partisë. Këtë akt, sipas të gjitha gjasave më vetëvrasësi në jetën e tij politike, doktori e ndërmorri pasi strukturat e partisë nuk e ndoqën në “fatva”-n e tij, sipas së cilës PD duhet ta mbronte publikisht pas shpalljes Non Grata prej SHBA. Sali Berishës i shkuan pas vetëm një grup i vogël deputetësh, dhe ajo që ishte më e rëndësishmja në këtë zhvillim; asnjë degë e PD-së nuk e zbatoi “fatva”-n e liderit historik.
Berisha, si lideri më jetgjatë dhe që ka krijuar mijëra karriera e shkatërruar të tjera, kishte dhe ka influencë të madhe qoftë në anëtarësinë e PD-së, qoftë tek elektorati që për 3 dekada ka votuar për këtë parti në të gjitha zgjedhjet që janë zhvilluar në Shqipëri, apo referendumet, ose ka ndjekur urdhrin për t’i bojkotuar ato.
Kjo influencë do të vijojë të jetë për vite e vite, edhe kur Berisha të mos jetë fizikisht, është një process që ndodh zakonisht. Siç ndodh me Enver Hoxhën, Ahmet Zogun etj, ku edhe pse breza që s’i kanë njohur kurrë jetuar atë kohë, sërish janë fansa e ithtarë të ndezur.
Mungesa e gatishmërisë për ta mbështetur pas shpalljes Non Grata, e ka tronditur realisht Sali Berishën, i cili si fillim tentoi të përdorë Blitzcrieg me leva e qysqi më 8 janar 2022 për ta larguar me forcë Lulzim Bashën. Edhe pse përdori një efekt e shantazh të madh, Berisha dështoi të marrë “kështjellën”. E duhet thënë se ai dështim tregoi për herë të parë në nivel të lart rënien e fuqisë së tij
Ndaj, ai menjëherë vuri në jetë “Planin B”. Si një njohës perfekt i teorisë së Makiavelit, doktori joshi të gjithë idhtarët e karrerës në PD për t’i mbështetur për tu ngjitur lart, mjafton që ata të heqin qafe Lulin.
E kështu mori rreth vetes kundërshtarë të vjetër të Lulzim Bashës, por edhe aspirant e karrieristë të rinj, të cilët me një logjikë sipërfaqësore menduan se doktori është një trampolinë ideale për ngjitjen e tyre.
E kështu ndodhi kaosi në kupolën e PD-së, shthurja totale e logjikës politike të lidershipit, e natyrisht një frenezi “ethesh ari” për të marrë drejtimin e PD-së.
Në të gjithë këtë histori e hark kohor 1 vit e gjysëm megjithatë ne kemi parë vetëm ngjarjet në skenë, por jo ata në prapaskenë.
Mbrojtja e selisë së PD-së më 8 janar nuk ka ndodhur as nga ndonjë grup “Wagner” nga Tetova siç u than ë fake news-et e përhapura me tepri ato ditë, e as nga njerëz që sjellë prej mazhorancës.
Ata njerëz që sprapsën me sukses kirurgjikal tentativën e pushtimit të “kështjellës” nuk ishin as më pak e as më shumë, por militantë të PD-së, të organizuar nga degët e partisë nga të gjitha anët e vendit.
Ishin degët e PD-së, që u kthyen në një kohë të shkurtër në zemërekun e luftës civile mes berishjanëve dhe anti-berishjanëve. Luftë që pjesën më të madhe nuk është parë, pasi është zhvilluar në seksione, grupe interesi e qendra të mbledhjes së militantëve në të gjitha bashkitë e vendit.
Thuajse asnjë degë e PD-së nuk u shkërmoq nga agresioni i foltores, përveç efekteve logjike të kësaj goditje, ku mjaft anëtarë partie vendosën që të mos jenë në qendër të kësaj lufte. Sali Berisha dhe njerëzit e tij nuk arritën dot të marrin kontrollin e asnjë strukture normale të PD-së në territor. Ishin krerët e degëve, që mbajtën peshën e një procesi politik që nuk zhvillohej as në studio e as në panele, por në skenën e egër politike të rrugës. Ndërkaq, pati disa prej kryetarëve të degëve të PD-së që u përgjigjën hapur publikisht ndaj sulmit berishjan, siç ishte kreu i PD-së së Shkodrës, Xhevdet Amuli. i cili, ishte i pari dhe i pakti nga këta drejtues që folën hapur e qartë për një PD pa Sali Berishën.
Në këtë proces, mjaft nga deputetët u frikësuan dhe nuk hynë në trashenë e luftës civile politike, disa zgjodhën që të rrinë as këndej e as andej, disa të tjerë, në mënyrë të qartë menduan kandidimin në zgjedhje lokale me Sali Berishën dhe Ilir Metën.
Krerët e degëve, të gjithë këtë aksion nuk e nisën me vullnetin e tyre, edhe pse kishin vullnet të qartë për ta kryer pa u ndalur apo tërhequr asnjë sekondë. Ka qenë Lulzim Basha që ka kërkuar që strukturat e PD-së të jenë partnerët e rezistencës së partisë nga sulmi berishjan. Madje dihet qartë se ata nuk e përkrahën dorëhrqjen e Lulzim Bashës pas 6 marsit e i kanë kërkuar të qëndrojë. Ndaj edhe Basha dorëheqjen e tij nuk e quajti largim, por “një hap prapa”. Edhe pas dorëheqjes, Basha nuk reshti së takuari këtë grup interesi në PD, i cili duket se ka bërë një pakt për ndërmarrjen e tyre. Atë që ata të jenë grupi më i rëndësishëm i partisë në të ardhmen. Deputetët që ju bashkuan foltores, apo ata që kanë qëndruar në mes, nuk kanë quajtur asnjëherë bazë degët e PD, por kanë kërkuar një bashkim të degëve me njerëzit e foltores. Ndaj dhe më pas ka ardhur ndarja përfundimtare e zgjedhja e deputetëve që më 14 maj të mos lejojë degët të dalin në zgjedhje.
Kjo është kronika e një zhvillimi real 1 njëvjeçar e gjysëm në PD. Ajo parti që do të dalë nesër në skenë nuk është makineria e 25 prillit 2021, por edhe politikisht është diçka ndryshe. Të vetmit që janë po të njëjtit janë Lulzim Basha, krerët e degëve dhe demokratët që kanë votuar në një process që ka fuqi më shumë sesa çdo bërtitje apo aggression si 8 janari 2022.
Ndryshe në zgjedhjen e Sali Berishës që kanë votuar edhe njerëz të partisë së Ilir Metës, apo thjesht votues të opozitës, sot kanë dalë në votime anëtarë të regjistruar të PD-së.
Por çfarë partie do të jetë nesër? Ajo që dihet më mirë është se do të jetë një parti anti-berishjane, ndërkohë se kush do ta drejtojnë PD-në përveç Lulzim Bashës apo kryetarëve të degëve askush nuk e di. Sepse Basha përveç bluzës së Zelenskit nuk ka treguar asgjë. Përjashto zgjedhjes së Presidentit nga populli apo vettingut në politikë, të cilat i takon që t’i kthejë në axhendë që nesër. Por për këtë duhet pritur e nesërmja…